E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në Tiranë, shkrumbohen 25 dyqane dhe një shtëpi

Pas tre orësh zjarrëfikësit shuajnë zjarrin e rënë në magazinën e fishekzjarreve pranë ish qytetit të nxënësve në Tiranë. Puna intensive e zjarrëfikësve nga Tirana, Lezha dhe Durrësi kanë shuar flakët e zjarrit, të cilat përfshinë 25 dyqane dhe magazinën e fishekzjarreve në tregun e zonës së Kombinatit në Tiranë. Fatmirësisht nga flakët nuk ka patur të lënduar, ndërsa ka patur dëme të konsiderueshme materiale.

Niveli i alarmit ishte mjaft i lartë edhe prej pikës së karburantit e cila ishte vetëm rreth 25 metër larg nga flakët e zjarrit. Situata e frikshme nisi rreth orës 16.30 ndërsa shpërthimet e fuqishme të herpashershme të fishekzjarreve shtuan panikun tek banorët dhe kalimtarët.

Agravimi i situatës çoi në vendngjarje edhe ministrin e Brendshëm Bujar Nishani si dhe drejtuesit më të rëndësishëm të strukturave të sigurisë ndërsa zv.ministri i brendshëm Ferdinand Poni duke dhënë bilancet paraprake foli për dëme të konsiderueshme material, ndërsa sa i takon shkaqeve nuk përjashtoi as ndonjë zjarrëvënie të qëllimshme.
 

Në vendngjarje mbërritën edhe 2 prokurorë të Tiranës, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve që cuan në këtë ngjarje, si pasojë e të cilës u dogjën 25 dyqane të tregut si dhe një shtëpi private. Dyshohet se shkak i përhapjes së flakëve është bërë një shkëndijë elektrike në magazinën e fishekzjarreve, shpërthimi i të cilëve përhapi edhe më tej flakët.

Në operacionin e gjerë u angazhun rreth 30 zjarrëfikëse apo mjete operacionale nga Tirana, Durrësi dhe Lezha si dhe një numër total prej 200 efektivësh të forcave të policisë, Reneas, zjarrëfikëses apo edhe strukturave të tjera përgjegjëse.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›