Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, jep dorëheqjen
Ivo Sanader dha dje dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kroacisë dhe kryetarit të partisë HDZ. Sanader theksoi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat do të zhvillohen në fund të vitit duke shtuar se pas 20 vjetësh aktiviteti ka ardhur koha për t’u tërhequr nga politika.
“Kam vendosur që të mos kandidoj në zgjedhjet për postin e presidentit të Republikës së Kroacisë dhe kam vendosur të tërhiqem nga politika aktive. Këto vendime natyrisht nuk ishin të lehta por i kam menduar mirë”,- theksoi Sanader, i cili nuk shpjegoi shkaqet se përse e mori këtë vendim. Sanader hodhi poshtë spekulimet për tërheqje nga politika për shkaqe shëndetësore me fjalët: “Shyqyr zotit, nuk jam i sëmurë”. Ai theksoi se koalicionit qeveritar do t’i propozojë që si pasardhëse e tij të zgjidhet zëvendëskryeministrja e deritanishme Jadranka Kosor.
2 Korrik 2009