E Diel, 1 Nëntor 2026

Eshte zhvilluar sot mbledhja e rradhes e Komitetit Nderministror te Integrimit ku eshte diskutuar per axhenden dhe hapat konkret qe do te merren nga grupi i negociatoreve dhe autoriteteve shqiptare n

Eshte zhvilluar sot mbledhja e rradhes e Komitetit Nderministror te Integrimit ku eshte diskutuar per axhenden dhe hapat konkret qe do te merren nga grupi i negociatoreve dhe autoriteteve shqiptare ne takimet e radhes me perfaqesuesit e BE-se. Ne fillim te takimit Kryeministri Fatos Nano ne fjalen e tij me kete rast u shpreh "Mbledhja e sotme e Komitetit të Integrimit ka në fokus vlerësimin e punës përgatitore për zhvillimin me sukses të raundit të 4-rt të negociatave me Bashkimin Europian për draftin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe në raundin e mesit të prillit trajtohen dy kapitujt e fundit të saj. Gjithashtu, duhet të vlerësojmë dhe t'i japim mandatin grupit të negociatorëve për të paraqitur opsionet dhe qëndrimet zyrtare të shtetit dhe të Qeverisë së Shqipërisë që përfaqëson këtë vend në negociata edhe në takimin e tretë të Grupit Konsultativ të përbashkët të Shqipërisë me BE-në.

Më konkretisht, në këtë raund negociatash do të diskutojmë me përfaqësuesit e Komisionit Europian çështje të drejtësisë dhe punëve të brendëshme, nenet 70 deri në nenin 84 të projekt-marrëveshjes, çështje të bashkëpunimit financiar, nenet 111 dhe 114 saj dhe do të çelim negociatat për dispozitat e fundit të draftmarrëveshjes që përfshihen në nenet 115 deri 135. Të gjitha këto janë çështje të rëndësishme jo vetëm për ecurinë e negociatave si proces, por edhe për ecurinë e reformave në vend në mbështetje të shtimit të kapaciteteve për zbatimin e detyrimeve që lindin nga marrëveshje në sektorë sensitivë e me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe në cilësinë e jetës së shtetasve të vendit.

Drejtësia dhe çështjet e brendëshme, kollona e tretë e këtij partneriteti midis Shqipërisë dhe BE-së, kanë qenë dhe mbeten përparësia e aksionit tonë qeverisës për faktin se prekin interesat e drejpërdrejta të shtetasve dhe, natyrshëm, ballafaqohen dhe me emocionet qytetare të tyre. Ne dukshëm dhe në mënyrë të sigurtë kemi çfarë të paraqesim me negociatorët e Komisionit Europian apo me vendet anëtare të BE-së edhe në këtë sektor, si arritje dhe angazhime. Në mënyrë të veçantë spikat progresi i reformave në gjyqësor. Janë evidente gjithashtu rezultatet e goditjes së sistemit të drejtësisë së organizuar që kemi ndërtuar kundër krimit të organizuar që po vazhdon të cedojë terren. Këto rezultate janë tashmë të ditura edhe për publikun ditë pas dite, pavarësisht zhurmave apo kundërveprimit të sektorëve që komunikojnë me publikun në emër të krimit të organizuar, dukshëm me interesa antikombëtare, antidemokratike dhe për përfitime që lidhen me hije apo me pastrim parash nga veprimtari kriminale.

Qeveria dhe institucionet e shtetit ligjor në Republikën e Shqipërisë, krahas punës dhe programeve të menaxhimit të procesit të reformave në vend, vazhdojnë të shpenzojnë një pjesë të kohës e të energjive edhe për të davaritur mjegullën politike apo publike të politikës apo të çfarëdo opozite ndaj aksionit goditës kundër krimit dhe infomalitetit, kundër terrorizmit apo trafiqeve. Pavarësisht zhurmës, ne i kemi qëndruar dhe do të vazhdojmë t'i qëndrojmë me vendosmëri bindjes dhe aksionit të pandryshuar se reformat për integrim do të vazhdojnë të thellohen më tej dhe ritmi i realizimit të deryrave ekzekutive duhet përshpejtuar akoma më shumë.

Jemi në një stinë raportesh dhe vlerësimesh ndërkombëtare edhe për Shqipërinë, krahas vendeve të tjera në asociim, vlerësime që na shërbejnë edhe për rritjen e produktit real, të rezultateve të programeve të zhvillimit të vendit. Më lejoni të theksoj se, për herë të parë, këtë vit po ballafaqohemi me vlerësime të drejta dhe realiste për ecurinë e reformave dhe progresin e bërë në Shqipëri, sidomos në 20 muajt e fundit dhe kjo është provë dhe një herë se progresi është i prekshëm dhe se nevoja, për shkak të progresit, për të shtuar ritmet dhe kapacitetet e menaxhimit të segmenteve të jetës shoqërore dhe të tregjeve, të administratës dhe të autoritetit që prodhojnë institucionet e shtetit ligjor është e madhe.

Tashmë, Bashkimi Europian, praktikat dhe mendësitë që vijnë prej standarteve të tij janë gjithnjë e më të pranishme në punën e të gjithëve, veçanërisht të administratës publike. Ende nuk mund të konstatojmë se kjo frymë është dominuese, por kjo nuk mund të shërbejë si alibi për të errësuar arsyen që çon në mosvlerësim të progresit dhe kapaciteteve që ka kjo administratë, e cila gjithnjë e më shumë po profesionalizohet dhe po bëhet më proaktive me homologët europianë.

Unë do të kërkoja edhe në këtë mbledhje edhe nga ministria Meksi në drejtim të ekipit tonë të negociatave politike me BE-në, të cilët po rrisin përformancën nga takimi në takim, të vazhdojnë të shfaqin performancën nga takimi në takim, të vazhdojnë të shfaqen me të gjithë performancën dhe agresivitetin e nevojshëm bashkëpunues në dialogun me partnerët tanë të BE-së, për të prezantuar arritjet dhe për të arsyetuar mbi logjikën e kapërcimit në proces të problemeve, sidomos në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe për reformimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë së organizuar në goditje të tij. Ministria e drejtësisë ka tashmë në dispozicion të të gjithëve memorien e vet institucionale për këta 20 muajt e fundit për çështjet e reformës në drejtësi, që nisin nga përmirësimi i trajtimit financiar i gjyqtarëve dhe prokurorëve deri tek vënia me efikasitet në punë e gjykatës së krimeve të rënda.

Në pjesën politike të këtij raundi të negociatave do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, si përfaqësues i imi, i ngarkuar posaçërisht për të trajtuar në mënyrë të detajuar çështje dhe prioritetet që lidhen me prirjet dhe zhvillimet në vend dhe në marrëdhëniet tona të partneritetit me kryeqytetet kryesore të botës euroatlantike. Kjo do të jetë një ndihmë tjetër për punën e grupit të negociatorëve, sepse rritja e nivelit të përfaqësimit me pjesën politike të bisedimeve çliron edhe ekspertët nga ngarkesat e panevojshme, shpesh artificiale që krijohen nga shqiptarë që, fatkeqësisht, janë ende në përfaqësim politik paçka se në minorancë.

Ne jemi jo vetëm të detyruar por plotësisht të angazhuar të mendojmë globalisht dhe të veprojmë me efikasitet me të njëjtin arsyetim global edhe në kushtet lokale. Shteti shqiptar sot është përfundimisht pjesë gjithnjë e më e integruar e realiteteve dhe zhvillimeve globale që lidhen me sigurinë botërore, me funksionimin dhe garantimin e demokracisë e të ligjit, me sigurimin e tregut të lirë e të kapitaleve. Në këtë angazhim dhe në emër të këtyre realiteteve, ne po synojmë integrimin e Shqipërisë në BE, pavarësisht ndonjë qëndrimi sporadik që shpesh tenton të shfaqet si konkluzion politik.

Dua t'ju siguroj me këtë rast se kjo përcjellje e ndërmarrjes shqiptare nëpër qëndrime të tilla është në minorancë dhe në periferi, siç janë dhe izolacionistët e pandreqshëm vendas në opozitë tradicionale në procesin e hapjes e të integrimit tonë europian. Tashmë, shumica dërrmuese e shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj kanë dalë nga mundësia e izolimit, ku kërkon të na mbajë opozita e vjetër. Kjo mundësi e shqiptarëve është mandati që ata na kanë dhënë për t'i përfaqësuar denjësisht në procesin e konsolidimit të partneritetit në BE, edhe atëherë kur ndeshet në ndonjë mosrealizim që vjen kryesisht për shkak të mosmaturimit të kapaciteteve njerëzore apo institucionale, apo të përvojës së pamjaftueshme, por kurrsesi për mungesë të vullnetit politik.

Dëshiroj të kujtoj se përvoja që kemi përfituar në negociatat e neneve të derisotme të draftmarrëveshjes ka qenë e madhe, e veçantë dhe krejt e re dhe, prandaj, e qëndrueshme për të ardhmen për të gjithë ne. Ajo është pjesë e pandarë dhe lokomotivë e procesit të integrimit të vendit në BE. Në këtë frymë duhet parë dhe vlerësimi më i fundit i BE-së në raportin vjetor për progresin, që do çojnë në dokumentin e partneritetit të Shqipërisë me të. Siç e kam theksuar raporti është realist dhe objektiv dhe jam i bindur se ndonjë paragraf kritik në të nuk do të ishte shkruar nëse nuk do të kishim dashakeqës të afrimit të Shqipërisë në BE, brenda nesh dhe në opozitë. Gjithsesi dhe kjo kritikë është dhe ia vlen të merret në konsideratë për të përmirësuar më tej punën në të gjitha drejtimet me ritmin e duhur.

Ne do të vazhdojmë t'i arohemi Europës sëbashku të gjithë si shqiptarë, si shtetas, si qytetarë, si sipërmarrës, sigurisht sëbashku edhe me opozitën. Prandaj jemi të gatshëm të mbajmë dhe superojmë edhe peshën e obstruksionizmit të cilitdo në këtë udhëtim integrues, ku nuk ka të humbur. Pikërisht në emër të kësaj bindjeje post përfaqësuese të një maxhorance më të madhe sesa maxhoranca politike që drejton vendin, ne do të vazhdojmë jo vetëm dialogun me ekspertët e BE, por edhe të përsërisim dhe strukturojmë procesin dhe ftesën tonë të vazhdueshme për bashkëpunim me opozitën. Përgjigja është në dorë të saj gjithashtu.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›