E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri i Sllovenisë dhe kryeministrja e Kroacisë ftojnë Kryeministrin Berisha të marrë pjesë në konferencën rajonale “Së bashku për një Evropë të Bashkuar”

Kryeministri Berisha priti sot në takim ambasadorin e Kroacisë Darko Javorski dhe të ngarkuarin me punë të Sllovenisë. Pasi e falënderuan Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, diplomatët e huaj i dorëzuan Kryeministrit Berisha ftesën e përbashkët të Kryeministrit të Republikës së Sllovenisë Borut Pahor dhe Kryeministres së Republikës së Kroacisë Jadranka Kosor, për të marr pjesë në Konferencën Rajonale, “Së bashku për një Evropë të Bashkuar, kontributi i Ballkanit Perëndimor në të ardhmen e Bashkimit Evropian”.

Konferenca do të zhvillohet më 20 mars 2010 në Slloveni, me pjesëmarrjen e përfaqësues të niveleve më të larta politike të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe presidentin e Komisionit Evropian. Në Konferencë do të diskutohen çështje që kanë të bëjë me zhvillimet në BE, pas traktatit të Lisbonës, procesin e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkëmbimin e eksperiencave, si dhe kontributin që këto vende pritet të japin në të ardhmen evropiane.

Në këtë kontekst, përfaqësuesi i republikës së Sllovenisë vlerësoi reformat e rëndësishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, arritjet e suksesin e tyre, si dhe i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Sllovenisë për miratimin e kërkesës së Shqipërisë dhe marrjen e statusit të kandidatit, sikundër edhe për marrjen e vendimit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, brenda këtij viti.

Kryeministri Berisha i falënderoi për ftesën dhe pranoi me kënaqësi të marrë pjesë në këtë Konferencë të rëndësishme rajonale. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u kërkoi ambasadorëve t’i përcjellin kryeministrave Kosor dhe Pahor urimet më të përzemërta të tij.


04/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›