E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeminstri Sali Berisha priti sot në një takim Ministrin e Brendshëm të Kroacisë, zotin Tomislav Karamarko

Ministri Karamarko vlerësoi si suksesin e qeverisë shqiptare në shkatërrimin e bandave kriminale, në luftën kundër krimit e trafiqeve

Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Ministrin e Brendshëm të Kroacisë, zotin Tomislav Karamarko. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin shumë të mirë, gjithnjë në rritje, midis të dy vendeve.

Ministri i brendshëm, kroat Tomislav Karamarko, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe i transmetoi atij urimet më të përzemërta të Kryeministres të Kroacisë, zonjës Jadranka Kosor. Ministri Karamarko vlerësoi se midis dy vendeve ekziston një miqësi dhe një bashkëpunim i ngushtë, jo vetëm midis dy qeverive, por edhe midis të dy popujve, bazuar mbi lidhjet historike mes tyre, i shprehur edhe në marrëdhëniet e shkëlqyera politike.

Gjatë bisedës, vizita e Ministrit Karamarko dhe e delegacionit që e shoqëronte u konsiderua si kontribut tjetër shumë i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit midis të dy ministrive dhe organeve të ruajtjes së rendit, në veçanti në fushën e luftës ndaj krimit trafiqeve, korrupsionit dhe bashkëpunimin policor.

Ministri e informoi Kryeministrin Berisha se marrëveshja që do të nënshkruhet mes dy vendeve për bashkëpunimin policor në vijim të kësaj vizite do të sjellë një hov të ri në këtë aspekt. Ministri Karamarko vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe domethënëse arritjet dhe suksesin e qeverisë shqiptare në shkatërrimin e bandave kriminale, në luftën kundër krimit e trafiqeve dhe u shpreh se vendi i tij e ka ndjekur me vëmendje këtë progres të Shqipërisë dhe mbetet i gatshëm të përfitojë nga përvoja e institucioneve shqiptare në këtë fushë. Gjithashtu, ministri i Brendshëm i Kroacisë Karamarko i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Kroacisë për punën që po bëhet nga qeveria shqiptare për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe liberalizimin e vizave, duke i ripohuar Kryeministrit gatishmërinë e Kroacisë për shkëmbimin e përvojave edhe në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i kërkuar ministrit Karamarko që Kroacia të marrë në konsideratë heqjen sa më të shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë, çka do të ishte një shërbim i madh në veçanti për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët për t’u rikthyer në Shqipëri kalojnë përmes territorit të Kroacisë.

Ne fund te takimit, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë, përmes ministrit Karamarko,urimet për të mira Kryeministres kroate Kosor, si dhe një ftesë për të vizituar Tiranën.


04/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›