Kryeministri kritika organit të akuzës: “Prokuroria fle mbi dosje, të hetojë edhe opozitën”

Kreu i ekzekutivit propozon modelin e Bundestagut gjerman, i cili nuk njeh imunitetin e zyrtarëve të lartë lidhur me akuzat për korrupsion dhe forma të tjera të krimit të organizuar
Përpos morisë së projekteve për vitin e ardhshëm, qeveria ka menduar në mënyrë të posaçme edhe për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Duke u bazuar specifikisht te kushtet e Bashkimit Evropian, për realizimin e procesit të integrimit, kryeministri përmendi çështjen e imunitetit, duke kritikuar organin e akuzës për paaftësi në hetimin e zyrtarëve.
Kreu i ekzekutivit tha se në një kohë kur opozita pretendon të luftojë korrupsionin duke u fshehur pas imunitetit, mazhoranca duhet të ndjekë një formulë tjetër, modelin e Bundestagut gjerman, duke mos njohur imunitetit lidhur me akuzat për korrupsion dhe krimit të zakonshëm.
“Po marr një prej tyre, lehtësimin e hetimit të zyrtarëve. Gjykoj se në mungesë të heqjes së imunitetit për shkak të mos pranimit të opozitës, e cila pretendon të luftojë korrupsionin duke ruajtur e u fshehur pas imunitetit, ne duhet të sanksionojmë me një deklaratë të firmosur nga të gjithë anëtarët e mazhorancës në shembullin e Bundestagut gjerman, në të cilën ata deklarojnë se nuk njohin imunitet për sa i përket korrupsionit dhe krimit të zakonshëm. Gjykoj se ministri i Drejtësisë këtë çështje duhet ta diskutojë edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që gjyqtarët tanë të deklarojnë se nuk njohin imunitet. Për këtë praktikë, gjermanët nuk kanë ndryshuar Kushtetutën, por kanë vendosur një standard në krye të çdo legjislature, të cilin edhe Gjykata e tyre Kushtetuese që është më e fuqishmja në Europë e ka lënë të vlefshëm, nuk e ka atakuar. Në këtë mënyrë, parlamentarët dhe gjyqtarët, pasi prokurorët nuk e kanë më imunitetin në ligjin e ri, bëhen të përgjegjshëm para ligjit, ashtu siç e kërkon standardi i një vendi të lirë e të civilizuar”, tha Berisha.
Në kushtet e mungesës së konsensusit nga opozita, Berisha tha se “kemi mundësi të shumta për zgjidhje alternative me efekt të njëjtë. Ata le të rrinë me imunitet, se atë imunitet atyre ia ka garantuar prokuroria, e cila fle mbi 400 dosje të dorëzuara dhe kjo është keqardhje. Duke shprehur vlerësimin më të madh e duke i bërë thirrje prokurorisë nga kjo sallë që të hetojë çdo çështje që ngrihet për secilin zyrtar të këtij vendi, nuk mund të mos shpreh qëndrimin tim, mos aprovimin tim të plotë ndaj njëanësisë së saj totale në shqyrtimin e këtij fenomeni. E falënderoj për të gjitha çështjet që ngre në drejtim të administratës, por, absolutisht, i bën shërbimin më të keq opozitës shqiptare dhe vendit duke fjetur mbi dosjet e korrupsionit saj”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.