Kryeministri ne inaugurimin e shkolles se re 9-vjecare ne Krume
Inaugurohet shkolla e re 9-vjeçare “Sejdi Dida” në Krumë, të Qarkut Kukës. Vlera e investimit nga buxheti i shtetit është 170 milionë lekë. 1 mijë e 100 nxënës do të ulen në 24 klasat e shkollës së pajisur ndër të tjera me laborator informatike, bibliotekë dhe mjedise sportive. Siç u shpreh kryeministri Berisha, ambientet moderne e vendosin këtë shkollë në të njëjtin standard me shkollat e vendeve të zhvilluara. Deri sot janë ndërtuar e rindërtuar 71% e shkollave të vendit. Kreu i qeverisë theksoi se arsimi është gur themelor në projektin “Shqipëria vend i zhvilluar”, me çfarë kuptohet ndërtimi kudo i një infrastrukture moderne arsimore, mësues të përgatitur e të trajnuar dhe trajtimi i merituar financiar për ta.
“Vetëm duke mbështetur mësuesit, duke u dhënë atyre mundësitë e trajnimit të vazhdueshëm dhe shpërblimit që meritojnë, ata do të mund të përmbushin misionin madh, misionin e edukimit e të ndriçimit të mendjes së fëmijëve tanë. Në një hark kohor të shkurtër, si asnjë vend tjetër, ne kemi rritur me 120 për qind rrogën e arsimtarëve të shkollës 9-vjeçare. Paga e tyre ishte 227 mijë lekë, sot është 550 mijë lekë. Ne kemi rritur mbi 220 për qind rrogën e mësuesve të shkollës së mesme. Nga 270 mijë lekë, ajo është sot, mbi 590 mijë lekë. Pak vite më parë, kryeministri i vendit merrte një rrogë të barabartë me rogat e 9 arsimtarëve. Sot, ai merr një rrogë të barabartë me 4 rroga e gjysmë të arsimtarit dhe ju garantoj se do të shkojmë duke e ngushtuar më tej, atë dhe duke rritur më tej rrogat e arsimtarëve”, vuri në dukje Berisha.
Kryeministri tha se inaugurimi i kësaj shkolle në 100 vjetorin e pavarësisë është shpërblimi dhe mirënjohja më e mirë për të gjithë ata, mësues që gjatë këtij shekulli me sakrificat më të mëdha e shndërruan Krumën në djep të arsimit, shkollës e dijes.
Sinkron Në të gjitha betejat e mëdha të zhvilluara për pavarësinë e Shqipërisë, në Kosovë, Hasi, Kukësi, Tropoja kanë qenë pikëmbështetjet më të fuqishme të tyre. Zonat veriore dhe verilindore njohën në ato vite, barbaritë më të mëdha, prej atyre, të cilët donin me çdo kusht që shqiptarët kurrë të mos kishin shtetin e tyre, që shqiptarët të shuheshin nga harta e Europës, për “fajin” e vetëm se ata ishin ndofta kombi më i vjetër i kontinentit. Por ishte sakrifica, trimëria dhe burrëria e shqiptarëve, në të katër anët e trojeve etnike shqiptare, që shndërruan në realitet pavarësinë e Shqipërisë.
Sikundër iu drejtua Kryeministri fëmijëve, ata që vendosin të parën dashurinë për kombin, bëhen me fuqi të pakufishme për realizimin e ëndrrave të tyre dhe kështu ndodhi me shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre
“Pse shqiptarët, gjatë një shekulli vendosën të parën dashurinë për vendin, për kombin, ndaj ne jemi të lirë. Pse shqiptarët, pak vite më parë vendosën dashurinë për Kosovën, dashurinë për kombin, më të parën dhe sot jemi të lirë kudo ku jemi. Pse shqiptarët vendosën dashurinë për dinjitetin kombëtar, sot janë të lirë në Maqedoni e kudo ku janë. Ndaj, edhe ne duhet ta kremtojmë këtë 100 vjetor si 100 vjetor të krenarisë për njëri-tjetrin, të dashurisë për njërin-tjetrin, të besimit se 100 e 1000 vitet që vijnë do të jenë vite të bardha për shqiptarët”, nënvizoi shefi i qeverisë shqiptare.
Në mbyllje të fjalës së tij Kryeministri tha se investimet kanë shënuar ndryshime të mëdha vitet e fundit, por ato do të vazhdojnë, me asfaltime të tjera rrugësh dhe me ngritjen e një stadiumi modern në këtë rreth.
“Edhe njëherë ju uroj gëzuar shkollën dhe ju premtoj se ne do t’i mbajmë fjalët. Ne e mbajmë fjalën tonë dhe sërish, ne do të shihemi në inaugurime të reja”, u shpreh ai.