E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Integrimit reagon ndaj akuzave te Shalsit per fushaten informuese

Sërish Ministia e Integrimit ka reaguar lidhur me akuzat e socialistëve, të recituara nga deputeti Eduard Shalsi, përsa i përket fushatës informuese lidhur me heqjen e regjimit të vizave, spote që janë transmetuar në media. Në deklaratën e kësaj ministrie sqarohet se 3 tv kombëtare TVSH, Klan TV dhe Top Channel kanë transmetuar, në mënyrë të barabartë, nga 70 herë secili spotin televiziv të prokuruar, lidhur me këtë proces.
“Dita kombëtare e rinisë që përmbysi komunizmin në këtë vend dhe i hapi rrugë realizimit të ëndrrës ”E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, dhe festimi i ditës “Pa viza në Europë”, janë zbatuar nga Ministria jonë sipas procedurave ligjore. Asnjë prej 3 mediave televizive kombëtare, të cilat kanë përcjellë nëpërmjet spoteve televizive mesazhet e rëndësishme të këtyre dy datave, nuk është diskriminuar”

Sipas kësaj ministrie Kontrolli i Lartë i shtetit e ka konfirmuar shpërndarjen korrekte dhe përdorimin efektiv të fondeve buxhetore për dy eventet, për të cilat gënjen kreu socialist dhe deputeti i tij Shalsi.

“Edi Rama dhe Shalsi do të ishte mire të tregonin me dokumenta, sa ata kanë respektuar ligjin në shpërndarjen e reklamave të bashkisë, institucion që Rama e drejtoi për 11 vjet.
Sa ka shpenzuar për reklamat dhe eventet për netët e bardha në Tiranë, apo festën me zjarre në Pezë?
Sa evente artistike ka realizuar pasi rriti e shtoi taksat ndaj biznesit?”
Ministria e Integrimit është e angazhuar tërësisht në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit.
“Krenarë qe kemi kontribuar për arritjen më të madhe të shqiptarëve: lëvizjen e lirë në Evropë, dhe po kështu po punojmë intensivisht për një tjetër sfidë: marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në këtë frymë do të donim të ishte me ne dhe opozita.
Por nëse Rama ka vendosur ta ktheje foltoren e partisë së tij në foltore tellallesh mashtrues, ju siguroj që foltorja jonë do të jetë gjithnjë institucionale dhe në luftë me disinformimin dhe hedhjen baltë që Edi Rama vazhdon t’u bëjë institucioneve shqiptare”

Prej ditesh tashme deputeti socialist Shalsi, ka bërë dalje periodike në media duke akuzuar qeverinë dhe ministritë se kanë bërë një ndarje të zhdrejtë, përsa i përket spoteve informuese të shpërndara në media, duke shpenzuar dhe shuma të konsiderueshme për realizimin e tyre. Për qeverinë dhe ministritë e akuzuara prej selisë rozë, ky aksion i Ramës dhe Shalsit, ka për qëllim vetëm mashtrimin e qytetarëve dhe spekulimin me fakte të paqëna.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›