Kryeministri në largim shkarkon shefin e Zbulimit të Ushtrisë
Kryeministri Sali Berisha ka shkarkuar dje nga detyra drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, raporton Panorama. Burimet zyrtare të kësaj gazete thanë se Ilirjan Balliu, i cili drejtonte Shërbimin Sekret të Ushtrisë, i emërtuar së fundi AIM, është larguar nga kjo detyrë me vendim të kreut të Ekzekutivit. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare, të cilat thanë se një nga shkaqet e shkarkimit të Balliut nga funksioni që mbante është mospërputhja e gradës së tij me pozicionin e punës. Zyrtarët pohuan dje në mbrëmje për gazetën Panorama se drejtuesi i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, sipas ligjit duhet të ketë gradën Gjeneral.
Ndërsa drejtuesi i deridjeshëm i AIM, Ilirjan Balliu, ka pasur gradën e kolonelit.
Sipas analizës që është bërë, kjo gradë ka rezultuar se nuk përputhet me pozicionin që ai mbante, ku duhet grada gjeneral. Pas shkarkimit nga detyra të kreut të Inteligjencës së Mbrojtjes, mësohet se ka nisur ndërkohë procedura e emërimit të drejtorit të ri të kësaj agjencie. Burime të konfirmuara kanë thënë se emërimi i drejtorit të ri të AIM bëhet me propozim të Kryeministrit Sali Berisha dhe me dekret të Presidentit të Republikës./ep