Preç Zogaj e Mark Marku, përplasje fizike pas një emisioni televiziv?
Dy prej eksponentëve të rëndësishëm të së djathtës, Preç Zogaj dhe Mark Marku, duket se kanë pasur një përplasje fizike mes tyre, pas një emisioni të Artur Zhejit në News 24.
Gazeta Dita bën me dije se dy ish-deputetët e djathtë u panë të zihen fizikisht duke rrëmbyer dy karrige me të cilat sulmuan njëri-tjetrin në korridoret e News 24, gjatë publicitetit.
Shkak për këtë zënkë janë bërë fyerjet që ata kanë shkëmbyer gjatë emisionit ndaj njëri-tjetrit.
Marku ka këmbëngulur në emisionin e datës 1 korrik, se humbja e PD-se erdhi prej faktit se kjo parti u shkëput nga përfaqesimi i shtresës së djathtë, kryesisht ish-të persekutuarve, të përndjekurve, nacionalistëve, etj. Marku pretendoi se duke synuar të tërheqë elektorat gri ose të majtë, PD humbi lidhjen me bazën e saj të djathtë dhe përfundoi në disfatën e rëndë të 23 qershorit. Nga ana tjetër, Zogaj deklaroi se disfata e PD-së erdhi për shkak të fenomenit të blerjes së votave kryesisht nga LSI dhe kandidatët e saj.
Pas përplasjes mes të dyve, Zogaj është larguar, duke mos u kthyer më në emision, ndërsa Marku ka qendruar deri në fund të emisionit./b.l