Rama-Berishës: Ndal marrjen e vendimeve
Kryeministri i ri, Edi Rama, ka kërkuar nga paraardhësi i vet që të ndalë marrjen e vendimeve, pasi ato nuk do të njihen.
“Jam i detyruar tu bëj thirrje të gjithë subjekteve që të mos vazhdojnë bashkëpunimin me këtë qeveri, pasi ne do jemi të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Është e pamundur që një qeveri e ndëshkuar nga populli të vazhdojë sikur ska ndodhur asgjë dhe të marrë vendime mbi pasuritë kombëtare për çëshje për të cilat u ndëshkua me votë”, tha kryesocialisti Rama gjatë një deklarate për shtyp, me rastin e mbajtjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së..
Deklarata e Ramës vjen pas mbledhje së qeverisë ku u miratuan rritja e pagave dhe pensioneve dhe pas mbledhjes më të fundit atë të Këshilli Kombëtar i Territorit ku u miratua plani kombëtar sektorial për gazsjellësin TransAdriatik, si dhe lejet zhvillimore komplekse për ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe disa plane të përgjithshme vendore.
Sakaq, Rama ka thënë se Shqipëria me votën e 23 qershorit i ka ngarkuar një përgjegjësi të madhe të ndërtimit të shtetit modern.
Askush nga ne nuk e priste këtë rezultat. Të gjithë besonim tek fitorja, por askush nuk e mendonte se fitorja do të ishte kaq e thellë dhe shqiptarët do të na ngarkonin me një përgjegjësi kaq të madhe. Ne kemi lexuar me shumë vëmendje rezultatin dhe se çfarë mesazhi kanë dashur shqiptarët të na japin.
Në këndvështrimin tim, kjo fitore është shumë e qartë. Nuk është një votë për të ndryshuar qeverinë, por për të ndryshuar rrënjësisht të gjithë Shqipërinë. Këtu shqiptarët na kanë vënë përballë një sfide të madhe, që duhet ta bëjmë së bashku me shqiptarët. Do të fitojmë së bashku sfidën e jashtëzakonshme të qeverisjes, përmes vlerave të programit që tërhoqi shqiptarët tek kjo parti, tha Rama./b.l