E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri paraqet projektet e qeverisë për zhvillimin turistik të bregut

- Investimet në bregdetin jugor të vendit do ta shndërrojnë atë në një nga zonat turistike më të kërkuara në Evropë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me drejtues të komunave dhe bashkive të rrethit të Sarandës, gjatë të cilit prezantoi projektet e qeverisë për këtë zonë. Kryeministri siguroi se këto projekte janë të shumta dhe do të shtohen në të ardhmen, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për zhvillimin e mëtejshmëm të bregut.
Pjesë e këtyre projekteve janë rehabilitimi i sistemit të ujësjellës kanalizimeve, aeroporti i Sarandës, rruga Sarandë-Butrint, segmenti Kardhiq-Delvinë, tenderi i së cilës pritet të zhvillohet në fund të muajit shtator ose në fillim të muajit tetor, si dhe vazhdimi i punimeve në rrugën Tepelenë-Gjirokastër.

Kryeministri Berisha kërkoi nga drejtuesit e pushtetit lokal të përshpejtojnë proceset për t'i dhënë përgjigje përfundimtare reformave të pronësisë, në mënyrë që t'i hapin rrugë ndërtimit të projektit të bregut. Duke kërkuar përshpejtimin e procesit në funksion të këtij zhvillimi, Kryeminisri siguroi se ndërtimi i planifikuar i bregut të pasur shqiptar do ta shndërrojë atë në zonat më të kërkuara turistike të Evropës dhe më gjerë. Për këtë qëllim, Kryeministri kërkoi angazhimin serioz të autoriteteve përkatëse për të realizuar në një kohë relativisht të shpejtë shpronësimet në vendet ku kalon rruga.

Ndër projektet që do të përshpejtohen, tha Kryeministri do të jetë edhe rruga e bregut, për të cilën këtë vit janë shtuar fondet. Gjithashtu, Kryeministri renditi edhe një sërë projektesh të mëdha për ujësjellësa, si dhe projektin për segmentin rrugor Sarandë-Konispol, financimi për të cilin është gati dhe pritet të finalizohet tenderi. Kryeministri vlerësoi kërkesen për rihapjen e shkollës bujqësore në Delvinë, ndërsa premtoi se qeveria do të shqyrtojë edhe ngritjen e një TEC-i në këtë zonë, që është propozuar nga një kompani dhe dy minihidrocentrale në komunën e Vurgut.

Kryeministri tha se gjatë këtyre dy viteve, qeveria ka arritur rezultate të dukshme në përpjekjett e saj për përmirësimin e klimës së biznesit dhe se ka një rritje të interesit të biznesit të huaj për të investuar në Shqipëri. Këtë vit, Shqipëria u përball me një boom investimesh të huaja, - u shpreh Kryeministri, - ku vetëm në fushën e energjitikës janë në kontratim jo më pak se 6 milionë euro. Gjithashtu, në vitin 2006 investimet direkte të huaja kanë qenë rreth 3 herë më të mëdha se investimet e 10 viteve të marra së bashku.

Kryeministri tha gjithashtu se Shqipëria shënon këtë vit një rritje të eksporteve të prodhimit vendas 35 për qind më shumë se vitet kaluara. Ndër arritjet në ndihmë të biznesit, Kryeministri veçoi inagurimin së shpejti të "One stop Shop", i cili do të shkurtojë kohen e regjistrimit të bizneseve nga 42 ditë në një ditë. Ndër të tjera, kryeministri tha se projekti i rrugëve dytësore rurale prej 400 milion dollarësh, do të shndërrohet në prioritetin absolut për qeverinë.

Kryeministri iu bëri thirrje drejtuesve vendorë për të punuar bashkarisht me qeverisjen qëndrore për krijimin e një klimë sa më miqësore ndaj biznesit. Qeveria, - u shpreh Kryeministri - ka një platformë bashkëpunimi me qeverisjen vendore pavarësisht nga ngjyrimet politike. Kryeministri theksoi se qeverisja vendore, pavarësisht së cilës forcë politike i përket, përfaqëson qytetarët shqiptarë dhe interesat e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›