Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e ekspozitës me vepra të rralla kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut
- Kryeministri Berisha i dhuron Fondit të Vlerave të Rralla të Bibliotekës Kombëtare, tre libra, nga biblioteka e tij personale, kushtuar heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në përurimin e ekspozitës "Skënderbeu, për herë të parë për publikun, nga koleksioni antikuar 1472-1830", të organizuar në mjediset e Bibliotekës Kombëtare. Kjo ekspozitë u çel me rastin e ditës Botërore të Librit, e cila ka nisur të festohet në Shqipëri që prej vitit 2001, me nismën e Bibliotekës Kombëtare.
Së bashku me Kryeministrin, ishin të pranishëm në këtë aktivitet Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare,zoti Aurel Plasari, përfaqësues të Trupit Diplomatik, punonjës të bibliotekës, si dhe të ftuar të shumtë nga fusha e artit dhe kulturës në vend.
Në këtë ekspozitë u paraqitën për herë të parë (premiere) për publikun rreth 50 eksponate (botime të shekujve XV-XVIII, përfshirë edhe incunabula) nga rreth 500 ekzemplarë që përmban në tërësi Fondi i Vlerave të Rralla.
Duke marrë fjalën e rastit, Kryeministri Berisha shprehu falenderimet e tij, për punonjësit e këtij institucioni, të cilët me shumë përpjekje u kanë ofruar lexuesve shërbimet më të mira dhe mundësinë e studimeve në fusha të ndryshme.
Duke vlerësuar Bibliotekën Kombëtare, si shtyllë kryesore të kulturës dhe visareve kulturore letrare, të kombit tonë, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të mbështesë fuqishëm këtë institucion për pasurimin e mëtejshëm të tij, si dhe për të krijuar të gjitha lehtësitë, për ofrimin e shërbimeve më të mira studiuesve dhe lexuesve shqiptarë.
Më pas, Kryeministri Berisha i dhuroi Fondit të Antikuareve të Bibliotekës tre libra nga biblioteka e tij personale, kushtuar heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, të cilët datojnë përkatësisht të viteve të botimit 1603, 1630 dhe 1890.
Me këtë rast, Kryeministri Berisha ftoi qytetarët shqiptarë që ti dhurojnë bibliotekës libra nga bibloteka e tyre personale, duke ndjekur kështu një traditë të shoqërive të qytetëruara.
Drejtori i Bibliotekës, Zoti Plasari, e falenderoi Kryeministrin Berisha për këtë akt qytetar, duke u shprehur se këto libra do të zenë vend midis koleksioneve të vlerave të rralla, që përmban Bibblioteka.
Më pas,të ftuarit vizituan ekspozitën, në të cilën ishin përzgjedhur jetëshkruesit dhe autorët kryesorë të Gjergj Kastriot Skënderbeut, si dhe autorë përfaqësues veprash dramatike e letrare mbi të.
Në fjalën e tij Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:
"Së pari, dua tu falenderoj shumë përzemërsisht për nderin që më bëtë dhe më ftuat në këtë aktivitet, duke më dhënë rastin të shpreh edhe njëherë nderimin tim më të thellë për punonjësit e këtij institucioni, të cilët në cdo kohë arritën tu ofrojnë lexuesve, studiuesve, shërbimet më të mira të cilat bënë përpjekje shumë të mëdha dhe në kushte shumë të vështira që të krijojnë dhe ofrojnë mundësitë e studimeve në fusha nga më të ndryshmet.
Bblioteka kombëtare është një shtyllë kryesore e kulturës sonë, e visareve kulturore letrare, të kombit dhe unë vij tu siguroj ju se qeveria do të mbështesë fuqishëm këtë institucion, si për tu pasuruar sa më shumë dhe, nga ana tjetër, do të mbështesë këtë institucion në mënyrë që ai të gëzojë të gjitha lehtësitë, për të ofruar shërbimet më të mira studiuesve dhe lexuesve shqiptarë.
Sot, ju organzizoni këtë aktivitet në ditën ndërkombëtare të librit dhe ne, shqiptarët, ndonëse me një histori edhe të vështirë, sërish kemi arritur të jemi të pranishëm në fondin ndërkombëtar të librit dhe do të thosha edhe me margaritarë të vërtetë, sic janë veprat e Ismail Kadaresë, vepra të cilat sot kanë pushtuar publikun jo vetëm në botën perëndimore, por në mbarë planetin. Nuk janë vetëm veprat e tij, por edhe veprat e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë, që përkthehen, pëlqehen dhe e bëjnë gjithnjë e më të njohur shpirtin, kulturën, vokacionin perëndimor të kombit tonë.
Sot, është një ditë ndërkombëtare nderimi për librin, për letrat shqipe, për rilindasit, për Ismail Kadarenë, për të gjithë ata të cilët i dëshmuan botës se shqiptaria është një doktrinë perëndimore, është një botëkuptim perëndimor.
I nderuar zoti drejtor, unë kam ardhur këtu me qindra herë dhe kam marrë nga ky vend, ndërsa sot kam ardhur të jap diçka. Kam sjellë këtu nga biblioteka ime - dhe me këtë rast ftoj të gjithë shqiptarë që ti japin Bibliotekës Kombëtare -, 3 libra, dy prej të cilave janë të vitit 1603, 1630. Të tre këta libra janë për heroin tonë kombëtar, i cili i përket jo vetëm kombit tonë, por i përket mbarë njerëzimit, qytetërimit perëndimor, për vlerat që mbrojti.
Njëri prej librave është i vitit 1603. Ju mund ta keni, por unë kam kënaqësinë që të merrni edhe këtë kopje. Ky libër është blerë nga unë dhe në fondin tuaj të Bibliotekës qëndron shumë më mirë se sa në bibliotekën time personale.
Libri tjetër është dhuratë e nje miku tim të shquar italian, (përkthim i veprës së Barletit në italisht) dhe është botuar në vitin 1630.
Libri i tretë nuk është i moshes së antikuareve që ndodhen këtu, por ka një domethenie të madhe, është i botuar në Hungari dhe është në gjuhën hungareze. Është i vitit 1890, dëshmi e një ndjeshmërie konstante dhe famirësisht dhe sot ne jemi dy kombe miq, me marrëdhënie shumë të mira."
Me këtë rast, ftoj qytetarët shqiptarë që ti dhurojnë bibliotekës libra, duke ndjekur kështu një traditë të shoqërive të qytetëruara, të cilat krahas bibliotekave personale synojnë të pasurojnë edhe bibliotekën kombëtare"