E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me eksportues

"Në emër të qeverisë dua t'ju përshëndes përzemërsisht ju këtu dhe të gjithë sipërmarrësit eksportues shqiptarë, të cilët në vitin 2006 kanë shënuar një rezultat shumë mbresëlënës duke rritur eksportin e Shqipërisë drejt vendeve të tjera me 20 për qind. Kjo rritje e eksporteve në një vit përbën sukses të madh të sipërmarrjeve tuaja, por, njëkohësisht, kjo rritje, në një vit ku hapësirat e tregtisë së lirë janë zgjeruar, është edhe më shpresëdhënëse. Ajo tregon se ju jeni të aftë e të zotë të përfitonit nga liberalizimi, në kundërshtim me atë që mendohej se prodhimi mund të frenohej. Në fakt e kundërta ka ndodhur, eksporti ka njohur rritjen më të madhe prej 20 për qind. Ne kemi nevojë të madhe të ruajmë këto ritme të rritjes së eksporteve si treguesi më cilësor i zhvillimit ekonomik të vendit dhe treguesi më besnik i zhvillimit të sektorit të prodhimit. Dua t'ju siguroj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që të ruajmë këto ritme për të cilat kemi nevojë jetike.

Një seri treguesish dëshmojnë për një entuziazëm real në ekonominë shqiptare. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, indeksi i shitjeve u mbyll me një rritje 23 për qind, krahasuar me një vit më parë. Eksporti i këtij tremujori është 28 për qind më i lartë, sesa në tremujorin e parë të vitit 2006. Gjithashtu krediti ka njohur rritjen më të madhe. Duke theksuar këto tregues, nuk injoroj aspak problemet me të cilat ju përballeni. Ne jemi ulur në mënyrë të përsëritur në një dialog me ju, keni paraqitur kërkesat tuaja, një pjesë e të cilave janë plotësuar. Fondi i konkurrueshmërisë është bërë disponibël dhe fonde të tjera, në kuadrin e ndihmës së para-aderimi të BE-së, janë adresuar pikërisht në sektorin e certifikimit të prodhimeve vendase. Një kthesë e rëndësishme është shënuar në rimbursimin e TVSH-së dhe ju siguroj që do të jetë e plotë dhe totale.

Sot vij këtu për të konsultuar me ju vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e fondit të garantimit të kredive të eksportit. Ne do të vendosim në dispozicionin tuaj nga buxheti i shtetit fondin prej 5 milion euro, që të mund të përdoret si mjetet xhiroje në veprimtarinë tuaj. Ndonëse kjo shumë nuk është e vogël, ju siguroj se ne jemi të gatshëm ta rrisim atë. Edhe tre vjet më parë, një nismë e BERZH-it synonte ndihmën tuaj, por ajo nuk funksionoi. Shpresojmë që forma që do të përzgjedhim së bashku do të bëhet menjëherë funksionale dhe disponibël për ju.

Ne gjithashtu po përpiqemi të krijojmë edhe një kuadër direncues rajonal të domosdoshëm. Gjatë një takim me kryetarin e baskisë së Laçit, konstatova se dy kompani italiane, me 200 vende punë të lira, kanë vështirësi për të gjetur punëtorë. Për ne ka rëndësi të jashtëzakonshme fuqizimi dhe suksesi juaj, prandaj parashtroni kërkesat tuaja. Ne do të shohim të gjitha mundësitë që kemi për t'jua vënë në dispozicion në zonat më të thella. Ne po bëjmë një studim që, në varësi nga zonat, të mund t'ju inkurajojmë dhe lehtësojmë barrën ndaj shtetit, sikundër të vëmë në dispozicion atë që qeveria ka me një euro. Në këtë mënyrë, ju jepni jo vetëm një kontribut në zhvillim e këtyre zonave, por edhe nuk përballeni me mungesën e fuqisë punëtore, e cila realisht përbën problem për disa nga sektorët tuaj. Tirana, Durrësi dhe qytete të tjera, që kanë veprimtari të shumëllojta, e përthithin krahun e punës aty ku është më i leverdishëm. Por, në rast se ju do të mund t'u adresoheni zonave periferike si Kukësit, Dibës, Kolonjës, Librazhdit, Gramshit etj., ne do të shqyrtonim me shumë kujdes lehtësira të tjera shtesë për veprimtarinë tuaj."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›