- Kryeministri përuron fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës së plazhit Ura e Dajlanit-Plepa dhe të rrugës Spitallë-Shënavlash – Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizi
- Kryeministri përuron fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës së plazhit Ura e Dajlanit-Plepa dhe të rrugës Spitallë-Shënavlash –
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Durrësit, gjatë së cilës përuroi punimet e disa objekteve të rëndësishme në këtë qytet. Në këtë vizitë Kryeministri shoqërohej nga disa ministra të kabinetit qeveritar, Kryetari i Bashkisë së Durrësit dhe deputetë të këtij qyteti.
Fillimisht, zoti Nano përuroi fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës së plazhit në segmentin Ura e Dajlanit-Plepa. Rruga do të ketë gjatësi 4.2 kilometra, gjërësi 25 metra dhe 6 korsi lëvizjeje, me në vlerë prej 7.5 milion euro, e cila do të jetë tërësisht në funksionim për sezonin turistik të vitit 2005.
Kryeministri Nano, në fjalën e tij, e konsideroi këtë segment një nyje të rëndësishme kombëtare komplekse, rrugore, turistike dhe shërbimesh në hyrje të Durrësit dhe në dalje të gjithë Shqipërisë drejt tregjeve të mëdha rajonale, me potencialet e mëdha turistike që mbart Shqipëria.
"Pas 14 vjetësh tranzicion dhe zhvillimesh problematike në zonën e plazhit të Durrësit, Qeveria, - tha zoti Nano, - vjen sot me vullnet, me dëshirë dhe me një fond prej 7.5 milion euro, të cilat integrojnë edhe investimet e bashkisë së Durrësit, për të nisur operacionin më të mëdh shërues të plazhit më të vjetër të Durrësit, i cili do të shndërrrohet brenda pak muajsh në zonën më tërheqëse dhe më moderne për pushues nga vendi, si dhe për turistë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe vise të tjera apo nga vende të tjera të mesdheut".
Duke vlerësuar faktin se në sezonin turistik të vitit 2004 plazhet e Durrësit arritën një shifër të re rekord pushuesish dhe turistësh gjithsej 700 mijë vetë, ose 200 mijë më shumë se një vit më pare, zoti Nano përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyer të Bashkisë së Durrësit me qeverinë, veçanërisht në fushën e promovimit të turizmit dhe të lehtësive për thithjen e turistëve që ka krijuar kjo zonë, në veçanti në inisiativat që paraqitën këto potenciale në Kosovë dhe Maqedoni. Kjo, sipas zotit Nano, ka prodhuar efekte fantastike që po ndikojnë natyrshëm në lulëzimin e sipërmarrjeve vendase, në shtimin e të ardhurave, të mirëqënies, të punësimit dhe të progresit të kësaj zone me ritëm më të lartë sesa mesatarja kombëtare.
Më tej, Kryeministri theksoi se Durrësi dhe në përgjithësi turizmi shqiptar meriton shumë më tepër sesa ai që është quajtur tradicionalisht turizëm patriotik. Prandaj sot, tha ai, kemi projektuar dhe po nisim ndërhyrje konkrete që do ta shndërrojnë zonën e plazhit të vjetër në një nyje urbano-turistike moderne me dimensione rajonale për të pritur vizitorë, pushues dhe turistë jo vetëm nga vendi por dhe bota.
Me këtë ndërhyrje të pare, nënvizoi zoti Nano, do të ndërtohet rruga më e gjërë në Shqipëri pas bulevardit Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Brenda pak muajsh kur përfundojnë punimet e kësaj faze, Durrësi do të ketë gjithashtu një shëtitore bregdetare me një gjatësi 3.2 kilometra, e cila do të garantojë lëvizjen e njerëzve midis detit, do të garantojë ruajtjen e vijës së rërës nga ndërtime abuzive dhe do të zhvendosë aktivitetet tregtare dhe argëtuese nga brendësia e komplekseve të pushimit apo të rezidencave në buzë të detit. Ndërhyrja për shërimin dhe modernizimin e plazhit të Durrësit ka kërkuar në këtë fazë prishjen e afër 500 ndërtimeve pa leje, e cila ka krijuar për të gjithë zgjerimin e hapësirave të lëvizjes dhe sipërmarrjes, të lidhet rruga kryesore dhe moderne me detin me 2.7 kilometra rrugë ndihmëse me gjërësi prej 10 metrash. Nga vlerat më të rëndësishme që krijohen me ketë ndërhyrje është gjithashtu eleminimi i derdhjes në det të mbeturinave urbane, duke sjellë kështu një proces të sigurtë e të plotë rehabilitimi ekologjik të detit dhe mjedisit turistik përrreth në standarte europiane.
Të gjitha këto, sipas zotit Nano, janë pjesë e investimeve që do të vazhdojnë nga ana e Qeverisë dhe Bashkisë për të përmirësuar dhe modernizuar infrastrukturat e zhvillimit. "Ne jemi të lumtur që në këtë investim të madh për zhvillim kombëtar në fusha prioritare të integrimit po mbështetemi dhe po shoqërohemi nga investime të sipërmarrjes private të ndershme dhe konkuruese, fondet e të cilave në vitet 2005 do të shtohen edhe nga rënia e taksave për biznesin e vogël e të mesëm. Ju e dini që brenda pak ditësh në parlament do të miratohet paketa fiskale dhe buxheti, me të cilat për afro 50 mijë subjektesh të regjistruara si biznes i vogël në vitin fiskal 2005 do të ketë një ulje të takimit të fitimit prej 25%. Kështu sipërmarfrësve dhe pronarëve të vegjël, që janë më masivët që mbajnë tregun në lëvizje dhe punësojnë njerëzit, do t'u mbetet i lirë një fond i përgjithshëm prej 1.2 milion lekësh të reja. Duke marrë parasysh se biznesi i vogël numëron më shumë se 90% të numrit të përgjithshëm të subjekteve që paguajnë taksa në Republikën e Shqipërisë, kjo është një reformë gjithpërfshirëse dhe shumë e dobishme e mazhorancës që unë drejtoj në 7 vitet e fundit në favor të nxitjes të punësimit, mirëqësnies, të investimeve private, të prodhimit, të shërbimeve dhe të ardhurave për të gjithë", tha zoti Nano. Gjithashtu një përfitim të drejtpërdrejtë, vlerësoi Kryeministri, do të vazhdojnë të kenë sipërmarrjet që merren drejtpërdrejtë me turizmin, të cilat sot numërohen në 1200 subjekte në të gjithë vijën bregdetare, ku Durrësi zë këtu peshën kryesore.
Në përfundim, zoti Nano garantoi 55 mijë banorët e rajonit të plazhit në bashkinë e Durrësit se ndërhyrjet do të vazhdojnë edhe në krahun e hekurudhës, me objektivin për ta zgjeruar hapësirën moderne në këtë zonë dhe për ta shndërruar të gjithë atë në kompleksin më modern rezidencial të Shqipërisë.
***
Më pas, Kryeministri Nano përuroi fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Spitallë-Shënavlash. Ky investim i rëndësishëm me një vlerë prej 120 milion lekë (të reja), tha zoti Nano, do ta integrojë këtë zonë në zhvillimin e madh të qendrës turistike Durrës dhe do të sjellë edhe në këtë zonë vizitorë, sipërmarrës dhe mysafirë nga e gjithë Shqipëria dhe bota.
Po sot, Kryeministri Nano ishte i pranishëm në Durrës në ceremoninë e 80-vjetorit të themelimit të Shërbimit të Transportit Rrugor Shqiptar, e cila u zhvillua në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Me këtë rast, zoti Nano përuroi përfundimin e rikonstruksionit të Qendrës së Kontrollit Teknik, e pajisur me aparatura bashkohore sipas standarteve europiane, një investim me vlerë prej 800 mijë dollarë.