E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimi i jetës dhe i shtëpisë, Tirana zë 80 për qind të tregut



Shtetasit shqiptarë që aplikojnë për marrjen e një kredie në bankat e nivelit të dytë, për t’i përdorur ato kryesisht në sektorin imobiliar (bërjen e pronave të patundshme), më parë detyrohen nga bankat që të sigurohen në kompanitë e sigurimeve. Sipas rregullave të bankave private, për të marrë një kredi në bankat e nivelit të dytë më parë duhet të jesh i siguruar për jetën dhe më pas duhet të sigurosh edhe pronën që ke blerë në kompanitë e sigurimit që ofrojnë këtë shërbim. Kjo ka bërë që të ardhurat nga sigurimi i jetës të rriten ndjeshëm gjatë vitit 2008 kryesisht në Prefekturën e Tiranës, aty ku edhe përqendrimi i bizneseve dhe bankave është më i madh. Sipas statistikave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në produktet e Jetës vihet re se prefektura Tiranë zë rreth 80 për qind të tregut. Peshën më të madhe prej rreth 73 për qind në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive, individëve dhe personave juridikë. Referuar të dhënave, në prefekturat e mëdha, ku është përqendruar biznesi dhe bankat, pesha specifike e produkteve të Jetës është më e larta. Primet e shkruara bruto në aktivitetet e Jetës për vitin 2008 arritën në 408.8 milionë lekë, me një rritje prej rreth 25 për qind krahasuar me një vit më parë. Po sipas këtij raporti, gjatë tre muajve të parë të këtij viti të ardhurat për kompanitë e sigurimit janë rritur. Sipas raportit më të fundit nga AMF-ja, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 160,976, duke shënuar një rritje prej rreth 25 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Rritja e numrit të kontratave në 2009 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 1,944 milionë lekë, shifër kjo 32 për qind më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2008. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 93 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7 për qind. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut, sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 47 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53 për qind të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar, tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve, ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›