E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri premton shtrirje të sundimit të ligjit në veri

Mitrovicë, 14 gusht - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, të shtunën,  gjatë vizitës në lagjen Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës, ka premtuar se do të kthej sundimin e ligjit në këtë pjesë të vendit. “Kontrabandistët dhe kriminelët i kanë ditët e numëruara, sepse edhe në këtë pjesë të territorit të Kosovës do të vihet rendi dhe ligji”, ka thënë Thaçi.
Ai gjatë kësaj vizite, ishte në shoqëri të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe ministrit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza dhe kryetarit të Mitrovicës, Avni Kastrati.
Gjatë inspektimit të punimeve në renovimin e shtëpive në këtë lagje Thaçi u ka premtuar banorëve se brenda vitit do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe u ka garantuar atyre siguri. Ai ka diskutuar me kryetarin e Mitrovicës për një projekt të ri të qeverisë për ndërtimin edhe të rreth  200 shtëpive të tjera në veri për kthimin e banore të veriut në shtëpitë e tyre, projekt ky i cili do të kushtojë 5 milion euro. Ai ka thënë se këtë projekt do ta prezantoj në qeveri. Thaçi gjithashtu ka falënderuar banorët për gatishmërinë  e tyre për bashkëpunim me zyrën e qeverisë të hapur në veri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›