Kryeministri pret Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, zotin Shigeo Katsu
Sot pasdite, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Zotin Shigeo Katsu.
Kryeministri bëri një prezantim të reformave të qeverisë në vitin e saj të parë të qeverisjes në mënyrë të veçantë ato në fushën ekonomike. Gjatë takimit, Kryeministri prezantoi, gjithashtu, nismën "Shqipëria një euro" dhe reformën në sistemin fiskal. Kryeministri kërkoi asistencën e BB-së për projektet në fushën infrastrukturore, ekonomike, të arsimit dhe energjisë.
Zoti Shigeo përgëzoi Kryeministrin për treguesit e lartë dhe qendrueshmërinë makroekonomike të vendit dhe reformat e qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit, duke luftuar korrupsionin, reformuar shërbimet dhe përmirësuar infrastrukturën. Zoti Shigeo siguroi për asistencën teknike dhe ndihmën e BB-së në infrastrukturë, energji dhe ekonomi. Ai shprehu, gjithashtu, mbështetjen për zhvillimin dhe zbatimin e nismës "Shqipëria një euro."
Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Zoti Katsu bënë këto komente për mediat:
Kryeministri Berisha: "Së pari, unë shfrytëzoj rastin të falënderoj përzemërsisht Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, të shpreh mirënjohjen e qeverisë dhe popullit shqiptar për ndihmën shumë të çmuar që Banka Botërore i ka dhënë vendit tonë në këto 15 vite dhe të theksoj se ndihma e Bankës Botërore ka qenë një ndihmë tejet e çmuar dhe që i ka përfshirë të gjitha fushat.
Dua të deklaroj se qeveria është e vendosur të zgjerojë dhe intensifikojë bashkëpunimin me Bankën Botërore në projektet që përfshijnë të gjitha fushat.
Ne diskutuam gjerësisht mbi projektet aktuale. Unë e njoha Zëvendëspresidentin e BB-së me të gjitha përpjekjet e qeverisë për reformat në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, përpjekjet për përmirësimin e klimës së biznesit, nismat për uljen e taksave dhe nismën "Shqipëria një euro". Diskutuam për projektet e përbashkëta që kemi me Bankën Botërore.
Edhe njëherë dua të theksoj se Shqipëria është shumë e vendosur të bashkëpunojë me Bankën Botërore në interes të zhvillimit të vendit, por edhe të rajonit, pasi shumë projekte të Bankës Botërore janë edhe rajonale".
Zëvendëspresidenti i BB-së, zoti Katsu: Faleminderit zoti Kryeministër. Dëshiroj të shpreh vlerësimin për mikpritjen shumë të ngrohtë dhe diskutimet konstruktive që patëm. Ashtu siç tregoi dhe kryeministri, ne analizuam programin dhe sfidat kryesore me të cilat Shqipëria përballet.
Në mënyrë të veçantë jam i inkurajuar nga arritjet dhe vendosmëria e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe krijimin e një klime më të mirë për biznesin. Unë personalisht i uroj kryeministrit, qeverisë dhe gjithë Shqipërisë më të mirën.
Pyetje: Zoti Zëvendëspresident i BB-së, si e vlerësoni nismën "Shqipëria një euro"?
Zoti Katsu: Mendoj se çdo gjë që e bën Shqipërinë një vend më të mirë për biznesin dhe që tërheq investitorët është me përfitim. Ne do ta studiojmë këtë me shumë interes.
Kryeministri Berisha: Unë i kërkova ndihmë Zëvendëspresidentit të Bankës Botërore me ekspertë, në mënyrë që kjo nismë të vendoset në bazën ligjore më solide dhe më transparente, për ta shndërruar atë në një histori të vërtetë suksesi.