E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Mbrojtjes të shteteve të Bashkuara të Amerikës zotin Donald Rumsfeld

Kryeministri Berisha mirëpriti, sot pasdite, Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zotin Donald Rumsfeld. Kryeministri Berisha dhe Sekretari Rumsfeld diskutuan mbi bashkëpunimin ushtarak dhe në fusha të tjera midis të dy vendeve, aleancën e Shqipërisë dhe SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit dhe në misionet për vendosjen e paqes dhe demokracisë në botë, reformat dhe përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në NATO, si dhe për bashkëpunimin e mëtejshëm midis Shqipërisë dhe SHBA-ve në të ardhmen.

Kryeministri Berisha dhe Sekretari Rumsfeld vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe shprehën angazhimin për thellimin e tyre në të ardhmen.

Kryeministri Berisha falenderoi qeverinë e SHBA-ve, Presidentin Bush dhe Sekretarin Rumsfeld për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe të jashtëzakonshme që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë në përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit. Kryeminsitri u shpreh se populli shqiptar dhe qeveria janë krenarë që janë krah për krah me SHBA-të në luftën kundër terrorizmit, vendosjes së paqes e demokracisë kudo në botë dhe se Shqipëria nuk do të kursehet asnjëherë të japë kontributin e saj sado modest në këto përpjekje.

Sekretari Rumsfeld falenderoi Shqipërinë dhe qeverinë e saj për partneritetin e ngushtë me SHBA-të në këto përpjekje duke theksuar se populli dhe qeveria amerikane e vlerësojnë thellësisht këtë mbështetje dhe janë mirënjohës dhe krenarë për të.

Në mënyrë të veçantë ai falenderoi trupat shqiptare në Afganistan dhe Irak, të cilët janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme për një çështje të drejtë dhe fisnike.

Gjithashtu, Sekretari Rumsfeld falenderoi Shqipërinë për mirëpritjen e Takimit të Ministerialit të Mbrojtjes të Evropës Juglindore, si dhe kontributin e saj në të gjitha nismat rajonale dhe bashkëpunimin rajonal. Ai theksoi se ky takim dhe nismat rajonale janë mekanizma të shkëlqyer për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për Shqipërinë anëtarësimi në NATO, Kryeminstri Berisha shprehu vendosmërinë e palëkundur të qeverisë për përmbushjen e të gjitha reformave dhe standarteve për anëtarësim. Sekretari Rumsfeld vlerësoi planin dhe arritjet e deritanishme të reformave të hartuara nga qeveria për transformimin e forcave të armatosura dhe anëtarësim në NATO, duke theksuar se ai është plani i duhur.

Sekretari Rumsfeld i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë së SHBA-ve ndaj aspiratave të Shqipërisë në NATO. Duke folur për kriteret e anëtarësimit në NATO, Sekretari Rumsfeld theksoi se vlerësimet jo-ushtarake janë po aq të rëndësishme dhe të domosdoshme për anëtarësim sa edhe ato ushtarake. Në mënyrë të veçantë ai theksoi domosdoshmërinë e luftimit të korrupsionit si një element i rëndësishëm për anëtarësim. Në këtë kuadër, Sekretari Rumsfeld përgëzoi përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korruspionit duke theksuar se "përpjekjet e qeverisë suaj janë të njohura dhe të vlerësuara nga të gjithë ne". Duke inkurajuar vazhdimin e reformave anti-korrupsion, Sekretari Rumsfeld shprehu gadishmërinë e SHBA-ve për ta ndihmuar qeverinë në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha dhe Sekretari Rumsfeld diskutuan gjithashtu për tërheqjen dhe angazhimin e investitorëve dhe biznesit amerikan në Shqipëri, reformat dhe inisiativat e marra nga qeveria në këtë drejtim, si dhe për ndihmën që SHBA-të i japin Shqipërisë nën Programin e Sfidës së Mijëvjecarit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›