Kryeministri pret bashkeraportuesit e KE vleresohet progresi
Nga ana e tyre bashkë - raportuesit i shprehën kënaqësinë kryeministrit Berisha për klimën pozitive që gjetën në vend dhe progresin e bërë që nga vizita e tyre e fundit në qershorin e vitit 2011.
Kryeministri Berisha u bëri një ekspoze të zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend. Ai theksoi se situata politike pas zgjedhjeve lokale të vitit 2011 është qetësuar dukshëm dhe se jeta politike është normalizuar. Kryeministri nënvizoi se pas dy vjetësh bllokim opozita pranoi ofertat politike që mazhoranca i kishte bërë që pas zgjedhjeve të vitit 2009. Ai theksoi se e mirëpriste një rikthim të qëndrueshëm të opozitës në Parlament, duke e cilësuar zhvillimin e debatit brenda institucioneve dhe pjesëmarrjen aktive në procesin ligjvënës si një detyrë që rrjedh nga vota e zgjedhësve.
Gjithashtu, kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë tek çështja e heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët duke theksuar angazhimin e palëkundur për heqjen sa më shpejt të këtij imuniteti në konsensus të plotë me opozitën. Në këtë kuadër, ai çmoi rolin e Këshillit të Evropës dhe ekspertizën e dhënë prej tij. Në lidhje me gjyqësorin, Kryeministri vlerësoi se rritja e numrit të të dënuarve që pas vitit 2005 është tregues i përmbushjes së detyrës kushtetuese ndërsa nënvizoi edhe rëndësinë për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe luftuar korrupsionin.
Në takim, kryeministri riafirmoi angazhimin e palëkundur të qeverisë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe vlerësoi ndihmën dhe kontributin e partnerëve dhe organizatave të specializuara në këtë drejtim.
Bashkëbiseduesit u ndalën dhe në procesin e afërt të zgjedhjes së presidentit. Duke theksuar rëndësinë e këtij procesi, kryeministri çmoi se ndryshimet konsensuale kushtetuese të vitit 2008 bënë të mundur që procesi i zgjedhjes së presidentit të mos përbëjë një faktor krize politike dhe siguroi se zgjedhja e presidentit do të bëhet në përputhje të plotë me procedurat e parashikuara nga Kushtetuta.