Petrenco Zgjedhjet presidenciale sipas Kushtetutes
“Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë një proces sipas Kushtetutës. Palët në politikë të shmangin konfliktet rreth kësaj çështje. Në takimet që ne patëm me palët në Tiranë na siguruan që Kushtetuta do të zbatohet plotësisht për sa i përket kësaj çështjesh së zgjedhjes së kreut të shtetit, duke na siguruar njëkohësisht se kjo zgjedhje nuk do jetë burim konflikti për tensione të tjera në politikën shqiptare”, u shpreh gjatë fjalës së tij, Petrenco.
Nga ana e tij, raportuesi Jirsa vlerësoi frymën bashkëpunuese, si dhe situatën politike e cila sipas tij ka shënuar hapa pozitive nga vizita e fundit e kryer në vitin 2011.
“Më duhet të them se një tipar dallues është bashkëpunimi që kemi vënë re, ne ishim në qershor të 2011, gjatë raportit që do prodhojmë për Shqipërinë kemi vënë re bashkëpunim që është në përputhje me kërkesat e KE. Krahasuar me 2011 situata është më e qetë, jemi të lumtur dhe presim të vijojë edhe në vijim. Jemi të vendosur të ndihmojmë në plotësimin e kushteve të vendit tuaj në BE”, vlerësoi Jirsa.
Një nga pritshmëritë e mëdha të raporterëve të Këshillit të Europës ndaj politikës shqiptare është edhe heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë.
“Janë vënë re edhe disa probleme që kërkojnë zgjidhje si; korrupsioni, funksionimi i gjyqësorit, heqja e imunitetit. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për ne, dhe si e tillë ka marrë një pjesë të mirë të vëmendjes", u shpreh Petrenco.
Hetimi i 21 janarit dhe zhvillimi i Shqipërisë ishte një tjetër temë e prekur në konferencën e tyre nga dy raporterët. Sa i përket “21 janarit”, raporteri Tomas Jirsa nënvizoi se institucionet duhet të lihen të pavarura në hetimin e plotë të ngjarjes. Ai nënvizoi se ajo është një çështje në hetim, institucionet duhet të lihen të pavarura në hetime, për të nxjerrë rezultatin. Ndërsa vlerësoi se Shqipëria ka bërë hapa mjaft të rëndësishme duke qenë një faktor stabiliteti në rajon dhe për këtë, tha ai, vendi ynë është një shembull suksesi.