Miratohen 45 emrat shqip të rrugëve të Shkupit
SHKUP- Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e fundit i ka dhënë dritë jeshile vendimit të Këshillit të Qytetit të Shkupit për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, bulevardeve dhe urave të kryeqendrës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha deklaroi se në kuadër të vendimit janë miratuar edhe 45 emrat e personaliteteve historike dhe ngjarjeve shqiptare, që do të mbajnë rrugët e Shkupit.
Vendimi unanimisht ka marrë dritë jeshile nga Qeveria. Për herë të parë Shkupi dhe rrugët e tij do të identifikohen me emra shqip, theksoi zëdhënësi Muhamet Hoxha.
Nga më shumë se 240 emra të propozuara nga këshilltarët komunal të VMRO-DPMNE dhe BDI, 45 prej tyre përmbajnë emrat e personaliteteve, ngjarjeve dhe vendbanimeve historike shqiptare.
“Kjo reflekton karakerin multietnik të kryeqendrës sonë në bazë të parimeve të marrëveshjes së Ohrit, per respektimin e tradites, kultures, historise se komunitetit shqiptar, deklaroi ai.
Ndër 45 emrat e rrugëve të miratuara janë: 28 Nëntori, 5 maji – Dita e Dëshmorit, 13 Gusht – Dita e Marrëveshjes së Ohrit, Abdyl Frashri, Gjon Sereçi , Arbëria, Bajram Curi, Bekim Femiu, Dardania, Dervish Hima, Dervish Cara , Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Gjergj Fishta, Tirana, Ismail Qemali, Ismail Kadare, Tirana, Jashar Erebara, Iliria, Jusuf Gërvalla, Meri Edit Dyrham, Hasan Prishtina, Azem Hajdari, 4 dhjetori, etj.
Ndërsa mes emrave të listës së VMRO-DPMNE-së janë emrat: Aleksandri i Madh, Filipi i Dyte, , Dame Gruev, Todor Mihajllov, Goce Dellcev, Nikolla Karev, Pitu Guli, Republika, Goli Otoku, Dragan Bogdanovski, Jordan Mijalkov, Rilindja Maqedonase, Komitat, Falanga maqedonase, Margaret Thaçer, Nelson Mandela, Stiv Xhobs, Faik Abdi, Xhorxh Bush si dhe emra të tjerë ndërkombëtarë dhe të qyteteve të rëndësishme botërore etj. (INA)