E Shtunë, 31 Tetor 2026

LMN, kundër kandidimit të Ramës: Jo më kryetar bashkie

Marko Bello: Rama të përqendrohet tek drejtimi i PS-së. Në këtë mënyrë përballet me Berishën

Socialistët dalin kundër një kandidimi të mundshëm të kryetarit të Partisë Socialiste për kryetar bashkie. Ata vërejnë një mosfunksionim të drejtimit të partisë për shkak të pozicionit të Edi Ramës edhe në bashkinë e kryeqytetit. Deputeti i PS-së, i njohur si pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Marko Bello, shprehet se do të ishte shumë mirë nëse Rama nuk do të kandidonte për herë të katërt. Sipas tij, në këtë mënyrë Rama do të kishte më shumë kohë ti kushtohej partisë dhe të përqendrohet tek qëllimi kryesor i PS-së, që është marrja e pushtetit. Ky koment i Bellos duket se paralajmëron dhe mundësinë e kandidimit të zotit Rama, i cili i pyetur ditët e fundit për rikandidimin e tij, ka preferuar të mos pohojë, por as të mos mohojë gjë. Qëndrimi i LMN-së Marko Bello mendon se kryesocialisti Rama më mirë të përqendrohet në drejtimin e partisë dhe përgatitjen e tij si kryeministër i ardhshëm. Do të preferoja një kryetar partie të fokusuar tek partia sesa tek Bashkia e Tiranës. Ky është mendimi im personal dhe këtë do ta vendosin forumet dhe pa diskutim zoti Rama. Do të preferoja një kryetar që nesër do të ishte kryeministër i vendit sesa kryetar bashkie, sepse më duket sikur shfokusohet nga qëllimi kryesor që është fitimi i pushtetit jo për hir të pushtetit, por për të qeverisur më mirë Shqipërinë, siç pretendojmë ne si PS, - tha Bello. Nga kjo deklaratë e ligjvënësit socialist duket se Rama e ka lënë përsëri të hapur mundësinë për të rikandiduar, edhe pse pak ditë më parë nuk e pohoi këtë gjë. Është një çështje që nuk është e ditës, aq më tepër që nuk jemi në fillimin e plotë të sezonit të ri politik, jemi në prag të tij, - ka deklaruar kreu i Partisë Socialiste, i pyetur për një rikandidim të mundshëm të tij në krye të Bashkisë së Tiranës. Gara për kryeqytetin pritet të jetë edhe gara më e fortë mes partive politike. PS synon të arrijë fitoren për të larguar disi shijen e humbjes të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Por kjo duket mjaft e vështirë, sidomos pas një sërë faktesh të bëra publike lidhur me abuzimet me lejet e ndërtimit nga kryebashkiaku Rama. Nga ana tjetër, edhe mazhoranca, Partia Demokratike, por dhe aleatja e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë nisur seriozisht përgatitjet. Ende nuk është zyrtarizuar nëse do të kenë një kandidatë të përbashkët mes tyre për Bashkinë e Tiranës, por për asnjë moment LSI nuk ka mohuar bashkëpunimin me demokratët. Gjithçka pritet të vendoset në fillim të shtatorit, kur edhe do të dekretohet data e zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›