E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lokalet, KQZ: Të kryhet reforma zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje politikës të kryejë reformën zgjedhore për të përmbushur detyrimet e lëna nga ndërkombëtarët pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Thirrja këtë herë vjen nga nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Sipas saj, moshartimi në kohë i kësaj reforme do të vërë në rrezik vendimmarrjen e komisionit për zgjedhjet vendore. Sa më shumë kohë të humbet, aq më shumë do ta vinte në vështirësi punën e KQZ-së. Forcat politike duhet të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme meqë ato janë administratorë të tyre, - ka pohuar Subashi. Por, ajo ka shtuar gjithashtu se kapitujt që bëjnë fjalë për zgjedhjet vendore, nuk u cenuan në kod. Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u sugjeron forcave politike që ndryshimet në kod të reflektojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Mungesa e vullnetit politik të opozitës, e cila vazhdon të jetë e mbërthyer tek fletët e votimit, ka sjellë vonesë edhe për ndryshimet në kod, megjithëse edhe socialistët e kanë pranuar domosdoshmërinë e këtij procesi. Pritet që fillimi i shtatorit ti japë zgjidhje këtij procesi dhe të nisë puna për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ndërkohë që dhe KQZ nga ana e tij ka bërë gati një paketë rekomandimesh për një proces sa më cilësor e në bazë të standardeve ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›