E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të syve që sjellin vdekjen

Refleksione mbi veprën “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të Rexhep Qoses
Atin HAXHINASTO

Përpjekja ime e tanishme synon në gjetjen dhe shpjegimin e disa mekanizmave të të ashtuquajturit "sistem i analogjive", i cili shtrihet në rrafshin viziv e konceptual të strukturave, qe nga imazhet e deri te tërësia e veprës. Për këtë qëllim, po marr në analizë romanin e njohur të shkrimtarit Rexhep Qosja, të titulluar "Vdekja më vjen prej syve të tillë". Autori e ka kategorizuar si "13 tregime, që mund të bënin një roman". Për sa i përket klasifikimit të gjinisë, është me vend të ndalemi në këtë përcaktim. Kemi të bëjmë me 13 tregime, pra 13 histori, që rrëfehen e qëndrojnë të mëvetësishme, apo kemi 13 kapituj të lidhur ngushtë, në harmoni forme e përmbajtje, që i japin kësaj vepre strukturën e një romani? Mendoj se mëvetësia e këtyre 13 “njësive” është relative, si mëvetësia e pjesës në raport me të tërën. Ma përforcon këtë mendim fakti që alegoritë, simbolet, metaforat, por edhe strukturat formale të njësive të veçanta, rimerren në dimensione e këndvështrime të reja në njësitë pasardhëse, duke krijuar kështu një mozaik përherë e më të plotë të veprës. Nëse këto 13 njësi do t'i kishim marrë në mënyrë të mëvetësishme, jashtë kontekstit që krijojnë ato me të tërën, jam i sigurt se do kishim tregime (mjerisht) të fragmentuara, me mesazhe artistike të paqarta e me simbolikë të errët. Të vëna krahas, në bashkëlidhje organike mes tyre, mesazhet artistike, alegoritë e simbolet bëhen të kapshme, të kuptueshme, të shpjegueshme.
Në fokus të këtij shkrimi do vë zbërthimin e bashkëlidhjen strukturore të tregimeve, për të përftuar, së fundmi, një skemë të plotë te arkitekturës së veprës.

* * *
Tregimi I, i titulluar: LEGJENDA, tregon përpjekjet e banorëve të një qyteti, të quajtur Vajazan, për nxjerrjen e një thesari të çmuar nga një shpellë e paarritshme, e njohur si "Shpella e Harapit". Për sa i përket shpjegimit gjuhësor të emrit të qytetit, të krijuar prej autorit, mbetet për t'u diskutuar nëse bëhet fjalë për Vaj zanë (pra: me zënë vajin) apo (zëri i vajit). Të dy variantet të afrojnë me vajtimin.

Të tëra përpjekjet e bëra nga djemtë më të fortë, më të shkathët, më të guximshëm të Vajazanit për të hyrë në shpellë e për të nxjerrë andej thesarin, kanë përfunduar me vdekjen e tyre. Është tentuar të hyhet aty nga të katër drejtimet: lart, poshtë, majtas e djathtas, por pa sukses. Mendohet se shpella ruhet nga: 1) zana e malit; 2) Plaku mjekërbardhë; 3) kuçedra. Të gjitha elemente të krijimtarisë popullore, të një botëkuptimi krijues mitologjik. Një nuse, “më e bukura prej gjithë nuseve” (përsëri element nga përrallat popullore (E bukura e Dheut), merr përsipër që me 7 nuset më të bukura, për 7 ditë, do bëjë një shokë burri. 7 burra vajazanas u ngjitën për të ndihmuar Salajdinin e Selmanit për të hyrë në shpellë e për të nxjerrë arkën e thesarit. Mund të vazhdojmë edhe më tej me simbolikën e numrave.
Titulli "legjendë" lidhet së pari me përmendjen e personazheve fantastike a mitologjike, pra jo me botëkuptimin krijues, sepse zgjidhja e problemit nuk vjen me mjete e mënyra të mbinatyrshme, siç gjithnjë në legjenda e përralla, por me një element të rëndomtë: një shokë burri, e përdorur në vend të litarit, me të cilën zbritet nga lart në shpellë. Por ndonëse fabula është e akonshme, servirja e simboleve fillon ta bëjë intrigues tregimin. Nëse tregimi do ishte i pasinkronizuar me pjesët e tjera të romanit, zbërthimi i simboleve të Thesarit e Gjarprit të zi, me pulla të bardhë rreth syve, mund të ishte i çfarëdoshëm. Për shëmbull, thesari mund të ishte një objektiv apo një ëndërr e parealizueshme, e cila mbetet si synim edhe për brezat e ardhshëm. Gjarpri mund te jetë injoranca, pamundësia, zhgënjimi, mungesa, e papritura e pakëndshme, pengesa në realizimin e qëllimit, rasti fator… Kështu mund të bënim plot analogji, pa i dalë në krye. Por, siç u përmend më sipër, të 13 njësitë e romanit marrin vlerë e kuptim vetëm në bashkëlidhje të ndërsjellët midis tyre. Nëse do ta vinim metaforën e tregimit të parë krahas shpjegimeve, që na rrëfen autori në tregimin "HEROSTRATI", do mund ta ngushtonim ndjeshëm rrethin e analogjive, duke iu afruar përsosmërisë artistike, artit të vërtetë, që është atribut i një pakice njerëzish, artistëve. Ma përforcon këtë ide edhe fakti që hyrja në shpellë ishte realizuar si një zbritje nga lart. A nuk thuhet rëndom për artin që është pjellë e frymëzimit hyjnor?
E njëjta vlen edhe për simbolin e gjarprit. Në shumë prej tregimeve vijuese do qartësohet se kujt i vishen tiparet e kësaj krijese, sa të përçudnuar, aq të rrezikshme. Me gjarprin do të personifikohen herë personazhe, Danjolli i Sherkës apo Astriti i Zekës, herë tipare karakteri, të gjendura brenda psikikës kolektive të shtresave a kategorive të ndryshme njerëzish, që merren në referencë.
Jashtë të gjitha konotacioneve të simboleve të mësipërme, imazhi që krijohet në skemën Nr.1 nga ecuria e subjektit, mund të na çojë edhe në një analogji të guximshme, e cila nga pikëpamja vizive duket se ka ngjashmëri të dallueshme:

Siç shihet, nuk kemi vetëm trekëndorin piramidal, por edhe elementin e syrit në këtë simbol mason. Përqasja e bërë i jep hapësira të reja e polivalencë të madhe të tërë simboleve të përmendura më sipër.

* * *
Tregimi II, "TRASHJA", e merr titullin nga një personazh me probleme mendore. Ajo është një femër që "të jep dhe shpirtin dhe trupin" (fq. 20). "Nën peshën e heshtjes dhe të belbëzimeve, ajo fshihte një dhembje shumë të madhe" (fq. 27). I vënë në bashkëlidhje me personazhin e Xhezairit të Gjikës dhe Rudinës, bashkëshortes së tij, tregimi mban kundërpeshën e analogut të tij, tregimit VETMIA.
Tregimi III, "TRILOGJIA", na jep çelësin kryesor për të zbërthyer skemën e tërë veprës. Sipas Nderimit të Musës, personazhit më të dukshëm të tregimit, “Trilogjia ishte trajta më e rëndë… më e çmuar artistike.” (fq. 34). Përse na serviret kjo strukturë? Një shpjegim vjen nga vetë autori në këtë tregim, kur thotë: “Shtëpia ime është trilogjia” - domethënë vepra që kishte dashur të realizonte gjithmonë. Shtëpia ka 3 kate. Secili kat ka tri dhoma, secila dhomë ka tri piktura dhe tri skulptura, secila pikturë ka 3 motive. Në shtëpi ka 3 papagaj, një për çdo kat, që ngjajnë me tre personazhe, të cilët shprehin nga një tendencë të jetës. Po ashtu, shtëpia ka 3 banorë.
Më poshtë, në tregim gjejmë shpjegimin: "shtëpia = sintezë e prirjeve tradicionale dhe moderne të kuptimit dhe qëllimit të artit".
Sado që përqasjet që jep autori në këtë tregim janë shumë të guximshme e duken tejet të largëta, ato bëhen të prekshme e konkrete kur shohim sesi struktura formale e përshkruar këtu rimerret me shumë konsekuencë nga autori në realizimin e formës së një tregimi tjetër: "METAMORFOZA". Duke qenë se në përcaktimin e nocionit të trilogjisë primare e përcaktuese është forma, e krahasuar kjo me përmbajtjen, po shmang shpjegimin dhe analizimin e përmbajtjes dhe simbolikës komplekse të ofruar, duke u mjaftuar me konstatimin e ngjashmërisë strukturore, pra formale midis këtyre dy tregimeve.
Tregimi IV, "TREKENDESHI", me filozofinë e thjeshtë të bashkëjetesës njerëzore, të përmbledhur në fjalinë: "Fqinji i mirë është si dera e xhenetit, kurse fqinji i keq është dera e xhehenemit", duket se të përgatit për atë çka do sjellin në jetën e Xhezairit të Gjikës tri personazhe të rëndësishëm të veprës:
Danjolli – persekutuesi inkuizitor.
Rudina – zhgënjimi për dashurinë e humbur e të përçudnuar.
Arifi – dhimbja për mikun e mirë të humbur.
Tregimi V, i titulluar "MEKATI", flet për natyrën mëkatare njerëzore. Me anë të një elementi artistik, "vjeshtës së vdekur", të rimarrë tri herë, "Vjeshta e vdekur shëtiste rrugëve të Vajazanit", (fq. 65), "Vjeshta e vdekur kishte hyrë në xhaminë e madhe" (fq. 78) dhe "Vjeshta e vdekur kishte hyrë në shpirtin e tij" (fq. 84), autori ka dhënë përçudnimin moral në tri përmasa të ndryshme.
Tregimi VI, i titulluar "LANETI", është konceptuar si ballafaqim i cilësive të dy personazheve kryesore: protagonistit Xhezairi i Gjikës dhe antagonistit Danjolli i Sherkës. Do të dukej si një ndeshje e dhuntive artistike e ndjenjave humane, nga njëra anë, me të keqen patologjike në anën tjetër, por gjithsesi të pashpjeguar e të pashkak, nëse ky tregim nuk do të vihej krahas dhe në ndërlidhje me tregimin XI, me titull "VETEVRASJA".

* * *
Tregimi VII, i titulluar "DEKLARATA", nëpërmjet një rrëfimi të konceptuar si dëshmitë para hetuesisë, merret gjatë me zbulimin dhe zbërthimin e shumanshëm të personalitetit të Xhezairit të Gjikës, personazhit kryesor. Një mënyrë interesante për të arritur te personazhi, është edhe rrëfimi i tërthortë për vetveten, pra mënyra sesi i përshkruan ai shokët e të njohurit: e vëmendshme, e njerëzishme (fq.110-111).
Ëndrra që ka parë Xhezairi (fq.115), e cila është bërë shkak për arrestimin e tij dhe për tre muajt e hetuesisë, është i vetmi element që devijon rrëfimin përshkrues të drejtpërdrejtë në këtë tregim. E mbarsur me një simbolikë të lexueshme, të sajuar prej arsyes racionale njësoj si metaforat apo alegoritë artistike, ajo nuk ngjan me ëndrrat e gjumit, të gatuara në honet e nënvetëdijes njerëzore, shì nga vijimësia e rregullt dhe sistematike e simboleve. Por, siç e përmenda kur referova tregimin e parë, mënyra gati amatoreske e perceptimeve të elementeve përbërës të marrë veçan, e kapërcen thjeshtësinë, sapo vihet në lidhje dhe bashkëveprim me njësitë e tjera të romanit. Lehtësisht të vjen në mendje një vepër e famshme e letërsisë shqipe: “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, për vetë gjetjen artistike dhe figuracionin e përdorur.
Autori përshkruan hollësisht mënyrat barbare të marrjes në pyetje nga organet e hetuesisë. Këto përshkrime kanë edhe një qëllim tjetër, të plotësojnë kuadrin e figurës së antagonistit, Danjollit, i cili është përshkruar si inkuizitor. (fq.126-127)
Nga tregimi VIII, "VETMIA", vlen të nxirret në pah grotesku, që shkon deri në përshkrime butaforike të nënës së Danjollit (fq.141), për të cilën nuk kursen shprehje të tilla: "ajo Esmaja e Danjollit, edhe pse 52 vjeçare, kishte veshur një fustan aq të çarë përpara, sa i kishin dalur cicat përjashta, të rrudhura, te irnosura, disi të mykura dhe kur ishte kapur në valle afër tij, Lahu i Dervishit, i dehur fitil, kishte piskatur: po vjen era thartirë, spermë të kalbur, kush ka burrno.”.
Tregimi IX, i titulluar "KRYEVEPRA", i shkon më tej përshkrimit të transformimit shpirtëror të Xhezairit të Gjikës: “As objektet rrotull nuk janë më si më parë. Asgjë s'të frymëzon.” (fq.170) Brenda tregimit është ndërfutur edhe një rrëfenjë tjetër, e titulluar "Kështjella magjike". Ky objekt, kështjella, është përshkruar me mjete e figuracion karakteristik të përrallave popullore. Një dhomë brenda saj, ku mbyllen njerëzit, zbulon natyrën e vërtetë të tyre, duke i shndërruar ata. Përmendet në këtë rrëfenjë njëfarë Astriti, të cilin e rigjejmë në tregimin vijues, "Herostrati". Në këtë "dhomë magjike" ai është shndërruar në një personazh si Janusi mitologjik, që shihte jo vetëm para, majtas e djathtas, por edhe mbrapa. Ishte bërë syri i Vajazanit. “...kishte hyrë një herë, dikur moti,... një djalosh me emrin Artan që kishte merak t’i këndonte do këngë që i shkruante vetë...; kur kishte dalë prej andej, mbas një kohe të gjate që, s’dihej a matej me muaj apo me vjet, kishin vërejtur se e kishte ndryshuar zërin: nuk këndonte më si përpara, zëri i tij i ngjizur po i bukur, i ëmbël, ishte bërë disi i kthjellet, si xham i pastër, i larë dhe dëgjuesve ua shponte veshët...” (faqe 189). Zëri mashkullor është holluar nga mungesa e testosteroneve. Është e qartë: personazhin e kanë tredhur.
Përmenda vetëm këta personazhe, të cilët rikthehen në vepër, por nuk janë më pak interesante edhe përshkrimet e personazheve të tjerë, qofshin burra a gra, që kishin hyrë e dalë prej asaj dhome.
Tregimi X, i titulluar "METAMORFOZA", ka formë e një simbolikë interesante. Fillimisht përshkruhet një dhomë e mbuluar me qilim të kuq, me dekor shqiponjash të zeza, me një tryezë në formë paralelpipedi, rreth së cilës janë ulur pesë persona e ku mbulesa e tavolinës, po e kuqe, ka të njëjtin dekor si qilimi. Me një simbolikë të tillë vështirë të kesh dyshime se këtu bëhet fjalë për një copë "shqiptarie". Secili karakter merret në 3 variante. Secili variant ka 3 elemente: një pjesë arsyetuese dhe dy fusnota (pjesë shpjeguese). Përsëri na kthehet struktura e tregimit "Trilogjia". Autori mundohet të bëjë zbërthimin e karakteristikave të shqiptarëve, duke dalë nga alegorikja te konkretja. Të pesë personave u analizohen 5 elemente: këmbët, duart, sytë, kokat, zërat. Përsa i përket një elementi të gjashtë, profesioneve, këtu autori i ka injoruar aftësitë e tyre në një mënyrë shumë origjinale: “Profesionet? Gjithsesi të rëndësishme. Prej tyre njëri është pensionist, një tjetër para pensionit, kurse tre të tjerë në vlugun e aftësive dhe të mundësive të tyre.”
Tregimi XI, i titulluar "VETEVRASJA", është një kthesë e papritur në evoluimin e figurave të dy personazheve kryesore, Xhezairit të Gjikës dhe Danjollit të Sherkës. Kartat janë hapur të tëra. S'ka mbetur më asnjë barrierë për ta shpalosur fytyrën e vërtetë të antagonistit. Epitetet janë ashpërsuar frikshëm: “judë, vampir, lugat, shtrigan, përbindësh, kasap, xhelat, xhebrail, xhahil, Iblis…”. Nga viktimë, Xhezairin këtu e shohim në rolin e hakmarrësit. "Me penë do ta bëj portretin tënd… si njeringrënësin e parë", i thotë ai. Ky kapërcim i rolit të shkrimtarit nga humanist në kasap, shndërrimi i penës në hanxhar, është një rrjedhojë e pritshme, pas tërë atyre pësimeve sistematike që ka pasur Xhezairi prej Danjollit.
Tregimi XIII, "HEROSTRATI", ka marrë këtë titull nga një figurë e errët e historisë, mbreti i çmendur Herostrat, i cili shkatërroi në vitin 356 p.e.s. tempullin e Artemisës në Efes (një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë), për të përjetësuar emrin e tij. Me një simbolikë të ngjeshur të numrit 7, tregohet se çfarë vendi të shquar kishin artistët dhe veçanërisht shkrimtarët në Vajazan. Ky glorifikim i rolit të shkrimtarëve bëhet për të rritur përmasat e humbjes së shkaktuar nga vdekja e Xhezairit të Gjikës, për të cilin është ngritur edhe një monument. Sipas kolegëve të tij, Xhezairin e ka vrarë:
1)Dashuria e madhe ndaj njeriut;
2)Dashuria e madhe ndaj vendlindjes;
3)Dashuria e madhe ndaj të bukurës.
Sërish shfaqet një Astrit, që e pamë të dilte i transformuar nga Dhoma Magjike, i shndërruar në "syrin e Vajazanit", domethënë: një informator, përgjues, hafije profesionist. Diagnoza që i përcaktojnë atij: Alergicus Contrapopulus Chronicus përmbledh në mënyrën më koncize karakterin e tij.

* * *
Pas kësaj paraqitje përmbledhëse të brendisë së veprës, do të ishte interesante të sillnim në vëmendjen tuaj edhe një herë simbolin e gjithëgjendshëm në këtë vepër: syrin. Do të mjaftonte të analizonim këtë element, për të rikrijuar tërë tablonë e veprës vetëm nëpërmjet përshkrimeve të këtij simboli. Rrallë mund të gjendet një vepër, ku një element i vetëm të merret në mënyrë kaq frekuente dhe të përbëjë boshtin e simbolikës së tërë veprës. Jo më kot, populli e quan syrin "pasqyra e shpirtit" dhe, pikërisht për këtë arsye, ka një peshë të jashtëzakonshme edhe në zbërthimin e personazheve.
Në përfundim të kësaj analize, mund të themi me plot gojën se kemi të bëjmë me një vepër të strukturuar formalisht në mënyrë mjeshtërore e profesionale, ku emocioni nuk përçohet nëpërmjet përshkrimit të situatave dhe personazheve, apo siç thuhet: leximit të drejtpërdrejtë, por si kënaqësi e zbërthimit racional të strukturës dhe simbolikës komplekse të veprës. Nëse do të guxonim të shkonim më larg me konfigurimin e arkitekturës së romanit, do të shihnim se si kombinimi i simbolikës dhe/ose fabulave të tregimeve, e vënë në skema numerike të lidhura në mënyrë lineare midis tyre, na jep si produkt figura gjeometrike, që i ndeshëm edhe në fillim të këtij punimi, të cilat kanë në vetvete simbolikën e tyre të mëvetësishme. Një mënyrë organizimi është edhe skema e mëposhtme, e cila mbetet e hapur për t’u manipuluar nga perceptimet dhe rezonimet emocionale personale të lexuesve.

Është lehtësisht e dallueshme se kemi të bëjmë me tri piramida me bazë katërkëndore, të cilat janë ndërfutur me njëra-tjetrën dhe përputhen tek i njëjti kulm. Vetë shkrimtari, kur foli për trilogjinë në tregimin III, e dha fare qartë konceptin e tij për veprën dhe strukturën e saj. Në vijim të përkahjeve tona, piramida e masonëve, me syrin pranë kulmit, e shumëfishuar për tre, çka jua paraqita më sipër, i jep udhë një deduksioni të natyrshëm: veprat e artit janë thesaret më të çmuara, të pacënueshme të racës njerëzore. Pikërisht kjo skemë i jep përgjigje pyetjes që shtruam në fillim e që, pas kësaj analize, besoj se ka marrë një përgjigje.

-----------------------------
Shënim: Kjoi analizë është pjesë e një studimi më të gjatë. Të gjitha referencat e faqeve të romanit janë nxjerrë nga botimi i „Toenës“, 2001.

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›