E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jam nisur të gjej urat

Natasha LAKO

Një gjethe vjeshte përmbi flokë

Një gjethe vjeshte ra përmbi flokë,
e vajza ende këtë s’e di,
vajzës diçka kërkon t’i thotë,
diçka t’u thotë flokëve të zinj.

Një gjethe vjeshte mbetur në flokë,
e unë vajzës emrin s’ia di,
po unë e di stinën e ngrohtë,
unë e di ç’do të thotë vajzëri.

Dhe ja, tani më nuk fryn era,
po vajza kthen kokën nga i dashuri i saj,
dhe e rrëzon papritur pranvera,
gjethin e vogël, të artë të saj.

Më more për dore

Më more për dore dhe më the,
nata nuk fsheh asgjë përveç ne të dyve,
kapërceje këtë natë si një kalë të zi.

Më more për dore dhe më the,
nuk vijmë as prej vdekjes në jetë si
Kostandini te Dhoqina,
as prej jetës në vdekje si Virgjili te Beatriçja.

Më more për dore dhe më the,
jemi më të etur se vdekja vetë,
dhe më të nginjur se vetë jeta.

Më more për dore dhe më the,
jemi vetëm ne të dy, ne të dy, ne të dy,
kapërceje këtë natë si një kalë të zi.

Nga dera e parë te dera e dytë

Trupi im si një derë e hapur ka mbetur,
dera tjetër je ti.

Nga dera e parë te dera e dytë,
kemi pritur të kalojë dashuria.

Unë që e kam mbaruar dashurinë së piri,
qëndroj në karrigen e mpirë.

Ti s’më the dhe më dhe, ti s’më dhe e më the,
ti s’më ke se përse, thotë ekspresi i kafes çdo çast.

Kamerieri më afrohet i ndrojtur,
pret të paguaj vetëm një gotë ujë.

Auto-bio-grafi

Macja e ikur. Kapelja e varur. Varësja e lyer.
Auto e fikur. Sheshi i hidhur.

Po të isha djalë, tani do të isha bërë burrë.

Macen s’do ta kisha kapur për bishti.
Kapelen do ta varja te Krishti.
Varësja do të më bëhej vrasës.
Sheshi do të më kthehej në hartë.

Kushedi ku do të isha nisur,
të gjeja macen e ikur,
me makinën e fikur.

Njeriu është një derë e mbyllur

Njeriu është një derë e mbyllur,
çelësin ta ka dhënë mamaja.

Kështu mendoja përpara një burri,
të qetë dhe të trishtë si cigarja.

Ai kërkonte të më zhvishte mendimet,
pasi nuk hapej dera ndryshe.

Më pyeste ku ke dëshirë të të shpie,
unë i thosha kërkoj të jem një lulëkuqe.

Unë kërkoja të mosqenën e qenë,
ai vinte që të dilte prej meje.

Ndryshe njeriu do të vdiste në vend
pa atë mbyllje prej dere.

Njeriu është një derë e hapur,
çelësin ta ka dhënë ati.

Tani të dy ia kemi dhënë vrapit,
prej të përkëtejmes në të këndejme...

Në dhomën time vjen Joe Cocker
Teodor Kekos

Të derdhura në vite, fjalët e njerëzve më kujtojnë,
zhurmën e çezmës së rrugicës sime të vjetër.

Në dhomën time vjen Joe Cocker,
dhe mbush tingujt plot buzëqeshje dhe të qara,
në të gjitha gjuhët më të mëdha të botës.

Kjo është vetëm lëvozhgë e mendimeve. S’më ngop.
Por nuk derdhet gjithçka.

Era i jep dritares psherëtima. Era kërkon
të sjellë në jetë me frymën e saj shumë njerëz të ikur.

Përfytyroj një trung që më bën roje buzë rruge,
me lulëzime të zhdukura njëherë e mirë,
as ai nuk m’i thotë të gjithë.

Dhjetëra fjalë të pathëna të njerëzve janë mbuluar prej hiri.

Me trupin e njeriut të mbuluar prej baltës e dheut,
përcjellim prej botës mendime,
që mbeten përjetësisht të humbura,
të humbura.

Sikur ta dimë se vetëm kjo është e mundur.

Mëngjes tiranas

Vajza në karrige të verdhë,
e verdha e derdhur në çaj,
dielli i skuqur në retë,
retë e mbledhura në Dajt.

Dajti me dëborë të egër,
egërsia e zbutur si Dajt,
qielli ka shurdhuar trumbetat,
e njerëzve të zënë në faj.

Tregim për këpucët e përbaltura

Nga këpucët e përbaltura,
trupi niste përpjetë,
atje lëkura jote e bardhë,
përkundte si në djep
një copë lëkure të vrarë, të zezë.

Ti heshtje,
unë zhvishja baltën shpejt e shpejt, nuk shihja
më këpucë, por dy kafshë të vogla, të therura.
që nuk flisnin më.

O, i kam dashur më shumë se ty,
ato dy kafshëza të vrara, që të ndjekin pas.

Nga një kalë i vjetër dhe i lodhur, ose nga hamshor i zi,
ka mbetur diçka te ti prej të gjithë centaurve.

Tani më kanë mbetur prej teje
vetëm ata dy këlyshë të heshtur, të vegjël.

Vizatimi i rrugicës së sotme të Korçës

Një polic po largohet për diku, i thirrur për diku,
eci edhe unë në të kundërtën e tij,
mes ne të dyve, të varura në mure kanë mbetur,
vetëm ca lule ornamentale që të kujtojnë spaletat.

Polici i stilit barok me mustaqen përdredhur si një
kangjell e vjetër,
po matet me luledredhësen e ngjitur në mure.
Ëndërron si unë,
po në një drejtim tjetër,
me një ëndërr që mund të jetë e barabartë,
po në një drejtim tjetër.

Vetëm ca dredhëza kanë mbetur vetëm,
të lumtura nga mustaqet që kërkojnë të mbeten vetëm,

nga polici në drejtim tjetër.

Nisu...

Jam nisur të gjej urat që lidhin gjelbërimin,
të gjej të gjitha urat e pakthimit,
jam nisur të gjej urat që mbajnë lidhur urrejtjen,
të gjej urat, që përpiqen të arrijnë dashurinë,
jam nisur të gjej urat që kërkojnë të më shohin,
të gjej të gjitha urat që do të më tresin,
jam nisur të gjej urat e të gjitha bashkimeve,
të gjej urat e të gjitha vdekjeve.
Dëgjohet si çekiç vetëm tik-taku i orës që ndërton,
urën që lidh të mbarin dhe të prapin.

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›