E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në jetë jo, në këngë po…

Pendesa, brerja e ndërgjegjes ose hapi i madh qytetërues i njerëzimit, siç thotë Kadareja, të bën të mendosh se banorët e këtij trualli të egër, krahas sjelljes së tyre të vrazhdë ndaj delikates, ndaj të bukurës, mbajnë një qendrim krejt të kundërt, rrezatojnë një brerje ndërgjegjeje, një pendesë deri në vetëflijim: “të vrava më vraftë pika!”. Pse e vrau? Si refuzim i të bukurës së rrezikshme?! Përfytyroni shkretëtirën shpirtërore pas humbjes së femrës-nepërkë (dashurisë) te burri. Ky burrë, që nuk përton të vrasë me të gjitha llojet e mjeteve, edhe për një fjalë goje, vret në mënyrë elegante nepërkën-femër: “me një shufër të godita”. Jo me një dru, jo me një gur. Me një shufër të hollë e elegante si nepërka, si femra. Pastaj, në shkretinë e tij, lutet që t’i bjerë pika. Nuk e do jetën pa praninë e bukurisë, qoftë ajo edhe bukuri e rrezikshme si e nepërkës. Ende vazhdojmë të jemi pendestarë vetëm në këngë?!

Yzedin HIMA

Në vargjet e një kënge foklorike në jug të vendit thuhet:

moj nepërka pika-pika
të vrava më vraftë pika
me një shufër të godita.

Simbolika e këtyre vargjeve është njëheri edhe bukur, edhe tronditëse. Pse femra në këngë simbolizohet me nepërkën? Parë në anën formale, ka një përqasje të mrekullueshme estetike midis femrës e nepërkës: të dyja të holla, elegante, të bukura, impresionuese. Nëpërka është një bukuri e rrezikshme, vdekjeprurëse. Po femra? Në këtë pikë ndahen apo bashkohen? Në fatin tragjik të shqiptarëve edhe në këtë pikë bashkohen. Përfytyroni tragjeditë e shkaktuara nga bukuria e femrës në jetën e këtij populli. Herë-herë, fjala dashuri ka nënkuptuar fjalën vdekje, fjala bukuri ka përcjellë fjalën flijim.
Në tre vargje, në një mjeshtëri të pazakontë, ngjizet krejt marrëdhënia e njeriut shqiptar me të bukurën në përgjithësi dhe femrën në veçanti. Përfytyrimi për të është mjaft fin: nepërka pika -pika. Nuk besoj se ka tatuazh në trupin e një vajze, dizenjuar edhe nga piktori më i madh, t’ia kalojë vizatimeve magjepse në shtatin e nepërkes. Asnjë biolog nuk ka shpjeguar qartë se në ç’mënyrë janë krijuar dekoracionet e magjishme që, kur shfaqen në një udhë me zhur, të emocionojnë, të trondisin aq sa të lënë pa gojë. Nga frika e bukurisë a frika e vdekjes?! Edhe veprat orgjinale të Pikasos, të Pol Klesë, të Dalisë, parë në muzetë e artit nuk të tronditin si të trondit bukuria në lëvizje e shtatit të pikturuar ra te nepërka.
Te vargjet të vrava më vraftë pika, folja “të vrava” krijon një mardhënie alternative midis dy objekteve, burrit dhe femrës-nepërkë. Burri është edhe vrasës, edhe i vrarë: “më vraftë pika.” Pikat e bukura të shtatit të nepërkës?
Duket qartë se objekti i parë (burri) është vrarë shumë kohë më parë se të vriste, atë e ka goditur bukuria, një bukuri që të godet dhe të vret ngadalë, si pika e shiut që shpon gurin (moj nepërka pika – pika).
Pendesa, brerja e ndërgjegjes ose hapi i madh qytetërues i njerëzimit, siç thotë Kadareja, të bën të mendosh se banorët e këtij trualli të egër, krahas sjelljes së tyre të vrazhdë ndaj delikates, ndaj të bukurës, mbajnë një qendrim krejt të kundërt, rrezatojnë një brerje ndërgjegjeje, një pendesë deri në vetëflijim: “të vrava më vraftë pika!”
Pse e vrau? Si refuzim i të bukurës së rrezikshme?! Përfytyroni shkretëtirën shpirtërore pas humbjes së femrës-nepërkë (dashurisë) te burri. Ky burrë, që nuk përton të vrasë me të gjitha llojet e mjeteve, edhe për një fjalë goje, vret në mënyrë elegante nepërkën-femër: “me një shufër të godita”. Jo me një dru, jo me një gur. Me një shufër të hollë e elegante si nepërka, si femra. Pastaj, në shkretinë e tij, lutet që t’i bjerë pika. Nuk e do jetën pa praninë e bukurisë, qoftë ajo edhe bukuri e rrezikshme si e nepërkës.
Ende vazhdojmë të jemi pendestarë vetëm në këngë?!

Kjo ëndërr e ndaluar

Jam i sigurt se Lejlanë e kanë pas dashur shumë burra në të ritë e saj. Se ajo qe nga ato femra ku rrallë, tepër rrallë qëndrojnë bashkë edhe bukuria, edhe mençuria, edhe finesa, pra ajo grua ishte një bukuri e bërë prej shpirti.
Por Lejla Mehqemeja ka qenë një ëndërr e ndaluar për burrat e hijshëm dhe të mençur të sërës së saj. Se ajo, për fat të keq, u rrit e vuajti në diktaturë (nuk mund të shprehem me fjalën jetoi, sepse do të fyeja mbijetesën e saj ). Dhe familja e saj fisnike qe ndër më të poshtëruarat pas vendosjes së diktaturës. Babai i saj, Izet Mehqemeja, u pushkatua nga nazistët në kampin e Majdanekut, në Poloni, si antifashist. Vëllai i saj, një bjond që shkruante poezi të ndjera, e denoncoi diktaturën komuniste ende pa u shtruar këmbëkryq në Shqipëri. Edhe ai u pushkatua po nga diktatura me ngjyrë të kuqe, më 9 dhjetor 1945.
Tri motrat u lanë të vdesin ngadalë, të pambrojtura, në mjedisin e helmuar të luftës së klasave në Shqipërinë socialiste.

Hëna derdh shi të artë,
me dritë lan shpirtra të bardhë.
Kam ftohtë, s’kam gjumë …
……………………………
Mendoj për jetën pa shpresë,
mëngjesin e zymtë që gdhin mbas pak,

shkruan Lejlaja në një poezi të saj. Me ç’duket, shpirtin e saj të dlirë e ndritse vetëm hëna, netëve. Dita qe dënim. Është një klithmë ekzistencialiste. Mëngjesi, pra, lindja është zymti, poshtërimteksa nata me hënë ëndërrim, qetësi, prehje. Me ç’kuptohet, moslindja, mosardhja në këtë jetë, do të qe më e mira.
E kam njohur Lejlanë vite më parë, në librarinë e Shpresa Xhaferrit në Berat. Shpresa ma paraqiti Lejlanë, në një nga ato pasdite të dielash, kur libraria ishte i vetmi vend i shenjtë (qenë ndaluar kisha e teqe). Lejlaja kishte vërtet një vështrim të manushaqtë, nuk e di në qe thjesht iluzion nga emri i saj, nga flokët apo nga ngjyra e syve. (“Safo flokëmanushaqja”, do të shkruante Alkeu 2600 vjet më parë.)
Herën e fundit isha për vizitë te Lejlaja, së bashku me një tjetër grua të rrallë, Milikën. I kishte vdekur motra dhe e ngushëlluam. Ndenjëm më shumë sesa qëndrohet në raste të tilla, sikur ta parandjeja se nuk do ta takoja më.
Ajo, dhimbje e bukur, tronditet dhe nuk beson as bukurinë e saj, kur shkruan:

Dikush më dhuroi një lule të bardhë,
para pasqyrës e vura mbi flokë.
Ajo shndriti më shumë
nga lulja... apo nga unë...?

“Armiku” nuk lejohej të ishte as i bukur, as i mençur, sepse shkaktonte admirim nga gjindja dhe ndoshta, në ndonjë shpirt ende të lirë, edhe dashuri, çka mund të trondiste rëndë luftën “e shenjtë” të klasave, skemat e socrealizmit për pamjen e mendjen e “armikut” të klasës. Lejlaja, (herë-herë mendoj se fjalët kanë ngjyrë, dhimbja është e manushaqtë, pra në ngjyrë lejla), është e vetdijshme për këtë, kur shkruan :

Kur isha e vogël,
dhimbja ishte e madhe,
s’e mbaja dot mbi supet e njomë.
U rrita, u rrit edhe ajo me mua.

Zot i madh, çfarë padrejtësie do të qe, sikur shpirti i saj të mos ketë shkuar në parajsë!

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›