E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri shkarkon kryekomunarin e Dajtit dhe të Gosës

02/03/2011  Pas kallëzimit të ILDKP

Vetëm pak ditë pas kallëzimit të tyre nga ILDKP për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë janë shkarkuar dje dy kryekomunarët e komunës Dajt dhe Gos. Burime nga Kryeministria thanë se Këshilli i Ministrave, në zbatim të ligjit ka shkarkuar kryetarin e komunës Dajt, Kujtim Qefalia, dhe atë të komunës Gosë të Kavajës, Sinan Shala, të cilët nga ana e ILDKP-së janë dërguar dhe për ndjekje penale. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i kallëzoi penalisht dy kryekomunarët Qefalia dhe Shala, pasi ata nuk e kishin të justifikuar pasurinë e tyre në deklaratat e pasurisë. ILDKP-ja i paditi dy kryekomunarët për mosdeklarim, fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive të tyre. Kjo padi erdhi pas inspektimit të ushtruar nga ILDKP në komunat Dajt të Tiranës dhe Gosë e Kavajës, ku rezultoi se kryekomunari i Dajtit, Kujtim Qefalia, ai i komunës Gosë, Sinan Shala, kishin pasuri edhe më të madhe se ajo që kishin deklaruar pranë ILDKP-së. Bashkë me dy kryekomunarët, ILDKP kallëzoi penalisht edhe përgjegjësin e Agjencisë Tatimore në Tepelenë, Adrian Zhupa. Sipas ILDKP-së, Kujtim Qefalia, gjatë hetimit administrativ rezultoi se nuk kishte një burim të identifikueshëm për krijimin e pasurisë së krijuar ndër vite nga ana e subjektit, “Vllaznia” sh.p.k, në shumën 65.000.000 lekë, një arsye kjo që Qefalia të kallëzohej në prokurori. Ndërkohë sa i përket kallëzimit të Sinan Shalës, Inspektorati i Lartë konstatoi se ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme disa kabina plazhi së bashku me truallin, pronë publike, të ndodhura në zonën e plazhit të Karpenit në Kavajë, asete të shitura më vlerë reale 200.000 euro, por të deklaruara në ILDKP si të shitura në vlerën 5 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›