E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qefalia: Shkarkimi im është vendim politik

“Shkarkimi im është vendim politik. Qeveria po bën luftë kundër njësive vendore.Dokumentat e qeverise hedhin poshte akuzat e qeverise”.

Ky ka qënë reagimi i kryetarit të Komunes Dajt, Kujtim Qefalia, i cili u shkarkua dje me një vendim qeverie, kjo për shkelje të rënda.

“U njoha ashtu si mbarë publiku shqiptar dhe banorët e komunës që drejtoj, me vendimin e marrë nga Sali Berisha për shkarkimin tim nga pozicioni i kryetarit të Komunës Dajt.

Padyshim, që ashtu si komuniteti që përfaqësoj dhe në shërbim të të cilit kam pasur nderin të punoj gjatë këtyre viteve, jam shqetësuar nga arroganca dhe arbitrariteti i këtij vendimi të cilin e konsideroj të pabazë.

Dëshiroj të theksoj se ky është një vendim kryekëput politik kundër zhvillimit dhe suksesit të arritur nën drejtimin tim dhe të stafit tim, në komunën e Dajtit. Rasti im është thjesht episodi më i fundit, dhe një nga më të turpshmit, i luftës që po u bën qeveria njësive vendore që nuk kontrollohen prej saj.

Unë deklaroj se akuzat me të cilat Këshilli i Ministrave po përpiqet të justifikojë shkarkimin tim nuk qëndrojnë. Ato janë thjesht spekulime të pavërteta dhe unë disponoj të gjithë dokumentet ligjore që hedhin poshtë pretendimet e qeverisë. Banorët e Dajtit, por edhe mbarë shqiptarët, tanimë e kuptojnë fare mirë se e gjithë lufta politike e kësaj qeverie mbështetet vetëm mbi akuza të trilluara, shpifje e spekulime.

Do të vazhdoj angazhimin tim ashtu siç kam bërë që në momentin e parë kur kandidova për kreun e komunës dhe kur banorët e mi më dhanë besimin për të drejtuar e menaxhuar punët e kësaj komune.

Nuk kam asgjë për të fshehur dhe padyshim që do ta kontestoj këtë vendim duke e çuar çështjen time përpara drejtësisë. Por ajo që dëshiroj të them edhe njëherë është se marrja e një vendimi të tillë politik, në prag të zgjedhjeve vendore, në një komunë ku falë punës së mirë që kemi bërë gëzojmë mbështetjen e padiskutueshme të popullit, është thellësisht e dyshimtë. Në çdo rast, në zgjedhjet vendore që po afrojnë, qeveria do ta marrë përgjigjen për këtë vendim, nga vetë banorët e Komunës Dajt”.
 

Sipas tij, akuzat jane vetem spekulime, ndersa qeveria ka vijuar me akuza dhe trillime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›