Kryeministri shkon me dosje në Kuvend për notat dhe milionat e socialistëve
Ndizet Parlamenti në ditën e fundit të punimeve në sesionin e dytë. Kryeministri Berisha e ka pasur të mbushur dosjen e tij dje me listën e notave të deputetëve socialistë. Shefi i qeverisë e kishte përqendruar vëmendjen e tij te deputetët me profesion juristë dhe ekonomistë të kampit kundërshtar. “Di notat në regjistër të deputetëve socialistë”, u shpreh Kryeministri. “Zoti Ruçi dua të njoftoi se zonja Arta Dade është kualifikuar me notën 6.5; notën më të ulët e ka marrë zoti Arben Malaj pesë. Shtatë ka marrë zonja Seseri se kaq i vlen, zonja Berberi nuk e lartëson më shumë. Zoti Agim Leka, star i vërtetë, ia ka kaluar edhe Fidelit 9.5, Shega ka marrë 9.8 për meritën e vetme se ka lexuar fjalimin e kryetarit të PS-së këtu, bravo të uroj. Arta betohu ti se do rrëzosh Sali Berishën, por e vërteta është se do rrëzohesh rrugës 10 herë përpara se ta rrëzosh. Olta Xhaçka 9.3”, tha Berisha duke përfunduar fjalën e tij drejtuar kreut të grupit parlamentar të PS-së: “Komandant, ti nuk ke notë, ty nuk të vejnë se të kanë frikë”. Debati nga notat ka përfunduar te milionat. Kryeministri u shpreh se “duhet t’i kuptoni disa mekanizma se jeni milionerë dhe milionerët nuk kuptojnë gjë se çfarë kanë të tjerët. Jeni ulur në këto karrige si grupi i milionerëve dhe ndaj nuk ju duhet ekspertiza”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i socialistëve. Deputeti Fidel Ylli i kërkoi Kryeministrit të mos sulmojë bizneset, sepse në vitin 1996 ministrat që i rrinë në krahë Berishës rrinin në kafenetë e tij. “Kafja e Fidelit mbledh intelektualë dhe të djathtë. Zoti Kryeministër u përpoq në ’96-n të shkatërrojë biznesin tim, ku është një vend që nuk rrinin socialistët, por rrinin këta ministra që janë sot pas meje, këta ministra që u përjashtuan dhe gjetën strehë te Fideli si një mik i tyre, jo thjesht si një opozitar i yti. Dhe dua të them se nëse ke ndonjë gjë personalisht me mua apo politikisht bëje, por biznesin tim lëre rehat se është biznes i ndershëm”, u shpreh deputeti socialist Ylli. Më pas, Kryeministri ka ironizuar këshilltarët ekonomikë në Partinë Socialiste, duke i cilësuar ata si dordolecë të ekonomisë.
#