E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri shqiptar në BBC

• EDUARD ZALOSHNJA

Bisedën e Kryeministrit  Berisha në emisionin “Hard Talk” të rrjetit televiziv britanik BBC, e pashë me dy miq shqiptarë në Tiranë. Të përgatitur për një sfidë jashtëzakonisht të vështirë të Berishës në emisionin që çdo politikan në botë i trembet, miqtë e mi, në mbarim të bisedës, thanë se Berisha e kaloi jo keq sfidën. Dhe ata nuk janë përkrahës të thekur të Kryeministrit Parë nga këndvështrimi i tyre, e më gjerë, të publikut shqiptar në përgjithësi, Berisha doli në fakt pa u lagur nga “Hard Talk”-u. Sepse, sipas këtij këndvështrimi, lagie për Berishën do të quhej një pranim përgjegjësie të drejtpërdrejtë për Gërdecin, apo një pranim i humbjes së luftës kundër korrupsionit - luftë e cila ishte kali i betejës në fitoren e tij të 3 korrikut 2005.
Fill pasi u ndava me miqtë e mi, përfytyrova për një moment sikur bisedën e Berishës në “Hard Talk” ta kisha parë me dy miq të mi amerikanë, që dinë fare pak për Shqipërinë. Dhe në atë moment, mendova se patjetër do më ishte skuqur faqja - metaforikisht, kuptohet. Së pari, do më ishte skuqur faqja prej anglishtes së Kryeministrit të vendit tim. Nuk e di kush ia ka mbushur mendjen Berishës se flet mirë anglisht, por kushdo qoftë, i ka bërë një shërbim shumë të keq si Shqipërisë, edhe Berishës vetë. Sepse ai në fakt nuk flet anglisht - ai thjesht përkthen fjalë për fjalë mendimet që ka në kokë. Për shembull, në “Hard Talk”, Berisha tha: “I collapsed the pyramids myself”, duke përkthyer drejtpërdrejt nga shqipja fjalinë “Unë i mbylla vetë piramidat”. Për një shqiptar kjo fjali bën më se kuptim, po jo për një anglez apo amerikan. Së pari, folja “collapse” përdoret në anglisht vetëm në mënyrën pësore - pra përdoret vetëm kur një objekt, frymor, apo institucion bie vetë dhe jo kur dikush e rrëzon. Së dyti, një anglez apo amerikan, duke mos e ditur se shqiptarët i quajnë piramida për shkurt skemat piramidale, do vriste mendjen se ç’lidhje kishte kryeministri i Shqipërisë me Piramidat e Egjiptit!!!
Dhe tani le të futemi në substancën e bisedës së Berishës në “Hard Talk”. Një nga pyetjet e gazetares së BBC ishte rreth faktit se organizata “Transparency International”, e cila është e specializuar për matjen e nivelit të korruppsionit në të gjithë vendet e botës, e ka nxjerrë Shqipërinë si vendin e 5-të më të korruptuar në botë. Përgjigjja e Kryeministrit tonë për këtë pyetje ishte se renditja e “Transparency International” ishte e bazuar në perceptimet e shqiptarëve dhe jo në fakte konkrete korrupsioni. Dhe kur gazetarja këmbënguli se vetëm 22% e shtetasve shqiptarë besojnë se situata e korrupsionit do përmirësohet në të ardhmen e afërt, ndërkohë që 52% e shtetasve kosovarë e besojnë këtë gjë, Berisha përsëri tha se këto shifra janë bazuar në perceptime. Më së fundi, gazetarja britanike, e dëshpëruar që Kryeministri shqiptar nuk po i jepte rëndësi gjësë më të rëndësishme në garat zgjedhore - perceptimit të votuesve - bëri një pyetje më të drejtpërdrejtë. Ajo pyeti sesi shpjegohet që 71% të shtetasve shqiptarë iu është dashur të paguajnë vitin e kaluar ryshfet për të mbaruar punë në zyrat shtetërore. Dhe përgjigjja e Berishës? Shifër e bazuar në perceptime!!! “Po janë 71 shqiptarë për 100 vetë që kanë paguar ryshfet - ata nuk kanë perceptuar se e kanë bërë këtë gjë, z.Berisha” - këmbënguli gazetarja. Por Berisha, edhe një herë, përsëriti refrenin “janë perceptime”. Dhe pastaj, si një politikan i regjur, u mundua ta mbyllte këtë temë me batutën e tij të stërpërdorur: “Po të ishin të sakta sondazhet, unë sot s’do isha sot Kryeministër”.
Gazetarja britanike, ose për faktin se nuk kishte kohë të zgjatej më me temën e saktësisë së sondazheve në Shqipëri, ose ngaqë nuk kishte informacion të hollësishëm për to, e kaloi bisedën në tragjedinë e Gërdecit dhe të baxhanakut të Berishës, që vdiq duke “punuar për bukën e gojës” në të. Por jam i bindur se miqtë e mi imagjinarë amerikanë do më kishin pyetur se ç’kishin parashikuar sondazhet parazgjedhore që Kryeministri shqiptar i kishte ironizuar. Dhe përgjigjja ime do ishte, se sondazhi i zhvilluar 3 javë para zgjedhjeve të 2005-ës kishte parashikuar se koalicioni i udhëhequr prej Berishës do fitonte në proporcional 39.9% të votave, nga 38.5% që fitoi realisht, dhe koalicioni i udhëhequr nga socialistët do fitonte 37.8%, nga 37.4% që fitoi realisht (pjesa tjetër u nda mes LSI-së, LZHK-së, partive fare të vogla dhe kandidatëve të pavarur). Siç shihet, shifrat do flisnin vetë për miqtë e mi imagjinarë amerikanë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›