E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri shqiptar takohet me Ministren e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Uinfrid An Taylor

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Uinfrid An Taylor. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen Baroneshës Taylor dhe e falënderoi përzemërsisht atë për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe i dha Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO, si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Baronesha Taylor, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë,  vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje  e madhe për Shqipërinë, e cila erdhi si rezultat i arritjeve dhe reformave të suksesshme që u realizuan në Shqipëri, reforma që ndryshuan Shqipërinë, por edhe u vlerësuan jashtëzakonisht nga vendet aleate të NATO-s.   
Kryeministri Berisha e njohu Baroneshën Taylor me reforma dhe arritjet e qeverisë shqiptare, për sa i përket luftës me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit, reformat për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe investimet në vend. Lufta kundër korrupsionit bëri të mundur rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit me 23 për qind në vit, ose 4 miliardë dollarë më shumë, të cilat u përdorën për ndërtimin infrastrukturës në të gjithë vendin, rritjen e rrogave për mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë, rritjen e pensioneve. Treguesit e kriminalitetit në Shqipëri janë tashmë më të ulët se mesatarja  e vendeve europiane. Shqipëria është tashmë vendi i prokurimeve elektronike, i taksës elektronike, doganave elektronike, ku biznesi regjistrohet brenda 1 ore përmes procedurës “one stop shop” vetëm për 1 euro, vijoi ndër të tjera Kryeministri Berisha.
Baronesha Taylor vlerësoi se këto arritje të rëndësishme, në veçanti reforma në fushën e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, reformat në fushën fiskale dhe thjeshtësimi i procedurave administrative dhe krijimi një situate sigurie në vend, padyshim që japin një efekt të madh në nxitjen e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›