E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha garanton Britaninë e Madhe për zgjedhje me standarde

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri, Sali Berisha priti në një takim Ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Uinfrid An Tejlor. Berisha e falënderoi atë për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe i dha Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO, si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Baronesha Tejlor, vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje e madhe për Shqipërinë, e cila erdhi si rezultat i arritjeve dhe reformave të suksesshme që u realizuan në Shqipëri, reforma që ndryshuan Shqipërinë, por edhe u vlerësuan jashtëzakonisht nga vendet aleate të NATO-s. Kryeministri e njohu Tejlor me reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare, për sa i përket luftës me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit, reformat për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe investimet në vend. Baronesha Tejlor vlerësoi se këto arritje të rëndësishme, në veçanti reforma në fushën e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, reformat në fushën fiskale dhe thjeshtësimi i procedurave administrative dhe krijimi një situate sigurie në vend, padyshim që japin një efekt të madh në nxitjen e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri. Në takim u diskutua edhe për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Berisha i bëri me dije Baroneshës se zgjedhjet e qershorit 2009 janë zgjedhjet e para të cilat bazohen në një kuadër ligjor dhe institucional të miratuar me konsensusin më të lartë të arritur ndonjëherë. Qeveria shqiptare, theksoi ai, po pajis qytetarët me dokumente identifikimi më të sigurtat në Evropë, bazuar mbi një regjistër elektronik themeltar të shtetasve, si dhe ka krijuar lehtësitë më të mëdha për të gjitha shtresat në nevojë për pajisjen me këto karta. Në këtë kontekst, Berisha kërkoi që Britania e Madhe të dërgojë sa më shumë vëzhgues për të ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke e garantuar Tejlor se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur të organizojë zgjedhjet më të mira në historinë e demokracisë shqiptare, që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, siç i meriton një vend anëtar i NATO-s. Më tej, ministrja e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Uinfrid An Tejlor pati takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku u diskutua anëtarësimi në NATO detyrimet e Shqipërisë në Aleancë dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ky lajm është publikuar: 24/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›