E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Rama takon trojkën e KE-së dhe ambasadorin amerikan

Autori i Lajmit: red.
Zgjedhjet e 28 qershorit dhe problemi i kartave të identitetit është bërë objekt i takimeve mes krerëve të politikës shqiptare dhe diplomatëve ndërkombëtarë të akredituar në vendin tonë. Ambasadori amerikan Xhon Uidhers, kreu i përfaqësisë së Bashkimit Evropian, Helmut Lohan, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh dhe ambasadorja e Republikës së Çekisë në Tiranë, Marketa Fialkova u takuan dje me kreun e Partisë Socialiste dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën në zyrën e tij, në bashki. Edhe pse nuk ka deklarata zyrtare, burime pranë bashkisë pohojnë se në qendër të diskutimeve kanë qenë problemet e infrastrukturës zgjedhore veçanërisht pajisja e shqiptarëve me karta identiteti. Dy ditë më parë ambasadorët janë takuar edhe me kryeministrin Sali Berisha. Sipas deklaratave të zyrtarëve socialistë shtyrja e zgjedhjeve nuk përjashtohet, nëse kartat e identitetit nuk shpërndahen falas duke filluar nga kjo jave.
Takimi
Trojka Evropiane dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers pas takimit dy ditë më parë me kryeministrin e vendit u takua dje, herët në mëngjes, me kryetarin e opozitës, Edi Rama. Në takim ishin dhe Bosh, Lohan e Fialkova. Burimet zyrtare nuk bëjnë të ditur detaje rreth takimit, por debati aktual rreth procesit të kartave të identitetit mes dy partive kryesore, mendohet të ketë qenë një nga elementet kryesore të bisedës mes përfaqësuesve kryesore të komunitetit ndërkombëtar dhe kryetarit te opozitës. Duket se diplomatët perëndimorë në një kohë kur kryeministri Berisha thotë se ka bërë gjithçka mundet për procesin e kartave dhe opozita kërkon heqjen e taksës së votës dhe ka vënë alarmin se zgjedhjet janë në rrezik, po kërkojnë diskutimet konstruktive për gjetjen e një kompromisi mes dy palëve. Opozita ka paralajmëruar protesta në të gjithë vendin në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës për të votuar, e cila sipas saj është cenuar nga qeveria ndërkohë që ka lënë të hapur dhe opsionin e shtyrjes së zgjedhjeve. Qeveria nga ana tjetër ka marrë së fundmi disa masa lehtësuese për pajisjen e disa kategorive të caktuara me letërnjoftime elektronike. Por pavarësisht nga kjo opozita thotë se ka mjaft shtresa sociale që janë jashtë skemës së qeverisë dhe se e kanë të pamundur të paguajnë kartën e identitetit duke ngulmuar se ajo duhet të jetë falas për të gjithë shtetasit që nuk kanë pasaportë. Lëvizja e fundit diplomatike e përfaqësuesve ndërkombëtarë duket se tenton të gjejë një përqasje konsensuale mes dy qëndrimeve aktuale politike. Kompromisi parazgjedhor ka treguar se paku deri tani se është një bazë e sigurt që zgjedhjet të mos kontestohen një ditë pas mbajtjes se tyre.
Ky lajm është publikuar: 24/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›