E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, KQZ marrëveshje me KKRT për monitorimin e mediave

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit për të monitoruar pasqyrimin që do bëjë media për subjektet politike në garë elektorale. Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani dhe kryetarja e KKRT-së, Mesila Doda dhe do të hyjë në fuqi më 28 maj, ditën kur do të nisë zyrtarisht fushata zgjedhore. Kryetari i KQZ-së tha se KKRT është institucioni i vetëm i cili ka kapacitetet dhe mundësitë ligjore për ta bërë monitorim fushatës elektorale të partive politike. “Ligji parashikon që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve monitoron fushatën elektorale të partive politike, monitorim i cili kryhet në bashkëpunim të ngushtë me KKRT-në, i cili është institucioni i vetëm i cili ka kapacitetet”, - u shpreh Ristani. Kryetarja e KKRT-së, Doda tha se institucioni që ajo drejton merr përsipër që t i ofrojë ndihmë KQZ-së me gjithë kapacitetet teknike të cilat janë në proces rinovimi. “Si risi do të kemi kapacitetet monitoruese tona, pra monitoruesit e KKRT-së mund të ndihmojnë në monitorimin e fushatës, pasi KKRT ka tashmë kapacitetet njerëzore më të shumta për të ndihmuar në këtë fushatë”- tha Dode. Ajo shtoi më tej se, KKRT është në një proces rinovimi të të gjithë studios tonë monitoruese gjë që do të ofrojë kapacitete ndihmëse më të mëdha. Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen më 28 qershor 2009.

Policët për zgjedhjet, 3000 në trajnim

Rreth 3000 policë kanë nisur trajnimin profesional për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Trajnimi “Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në Qendrën e Formimit Policor”, do të përfundojë në 28 maj, ku të gjithë punonjësit e policisë që do të kenë detyra për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të trajnohen. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se po përgatisin një libër xhepi për të gjithë punonjësit e policisë, libër i cili përcakton qartë detyrat e tyre. “Të gjithë drejtuesit duhet të kontrollojnë veprimtarin e çdo punonjësi në varësi,”- pohojnë burimet. Trajnimi po zhvillohet në ambientet e Qendrës së Formimit Policor. Detyrat e policisë para, gjatë dhe në përfundim të procesit zgjedhor janë të përcaktuara qartë në Kodin Zgjedhor, dhe për këtë arsye kërkohet zbatimi me korrektësi i detyrave që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor. Veprimtaria e Policisë së Shtetit në këtë proces do të jetë transparente, dhe Drejtuesit e Drejtorive dhe Komisariateve duhet të bëjnë transparencë të plotë gjithë veprimtarinë e policisë në procesin zgjedhor për zonat ku ata janë përgjegjës. Ndërkohë, që strukturat e hetimit të krimit do të kenë nën monitorim personat me precedent penal, sidomos ata që kanë precedent penal në fushën e zgjedhjeve, dhe të marrin masa në kohën e duhur për të parandaluar ndonjë akt kriminal, i cili mund të cenojë procesin zgjedhor.
Ky lajm është publikuar: 24/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›