E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri turk Erdogan Francezet kryen genocid

Një ditë pasi Franca vendosi të njohë me ligj gjenocidin armen, kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan ka akuzuar Parisin zyrtar se ka kryer "gjenocid" gjatë kolonizimit në Algjeri.
"Mendohet se 15 përqind e popullit algjerian është masakruar nga francezët që nga viti 1945. Bëhet fjalë për gjenocid",-ka deklaruar Erdogan. Një ditë më parë, Turqia tërhoqi ambasadorin e saj nga Franca, vetëm disa orë pasi në parlamentin francez u miratua një projektligj që e shndërron në një kundravajtje penale mohimin e genocidit turk ndaj popullsisë armene. Ndërkohë, protesta të mëdha u organizuan përpara institucioneve nga shtetasit turq me banim në Francë, të cilët mbanin pankarta në të cilën kujtohej e shkuara e errët kolonialiste e vendit.
Nga ana e saj, Turqia e mohon termin gjenocid kur flitet për vrasjen e mbi një milionë armenëve pas Luftës së Parë Botërore. Madje, kjo çështje ka qenë një mollë sherri mes Ankarasë e Parisit edhe përpara miratimit të ligjit, kur presidenti francez deklaroi se do ta propozonte atë.
Qindra mijë armenë vdiqën gjatë deportimeve masive nga Perandoria Osmane, dhe 20 vende tashmë e kanë njohur këtë ngjarje historike si gjenocid. Turqia e konsideron pjesë të trazirave të pasluftës, gjatë të cilave vdiqën edhe mjaft muslimanë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›