E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri shpreh angazhimin e qeverisë për përmbushjen e reformës së pronësisë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me kryetarët e 12 qarqeve të vendit, ku morën pjesë edhe ministrat Olldashi, Rusmali dhe Nishani, dhe drejtuesit e 3 agjencive shtetërore, asaj të Pronave, të Regjisstrimit të Pasurive dhe Legalizimeve.
Kryeministri shprehu vullnetin për të krijuar partneritet dhe bashkëpunim me kryetarët e qarqeve duke theksuar se kemi detyra mjaft të mëdha, të cilat kërkojnë angazhimin e të gjitha strukturave të shtetit, duke përfshirë administratën dhe njësitë e qeverisjes vendore. Ai theksoi se për qeverinë zhvillimet rajonale janë çështje të dorës së parë dhe strukturat përkatëse në qarqe janë bartës të reformave kryesore të vendit.

Kryeministri u shpreh se ndër këto reforma prioritare është ajo e pronësisë, e cila është reforma kryesore e një shoqërie të tregut dhe pjesë e pandarë e detyrimeve para shqiptarëve. Ai shprehu bindjen se Agjencia e Pronave pas ristrukturimit është e vendosur të plotësojë obligimet e saj për kthimin dhe kompensimin e të gjitha pronave të qytetarëve shqiptarë. Më tej Kryeministri tha se dy vitet në vazhdim janë prioritet i qeverisë shqiptare për të plotësuar këtë detyrim. Përballë gjendjes jo të favorshme të trashëguar, vijoi më tej Kryeministri- ne do vendosim angazhimin e përbashkët për tejkalimin e kësaj situate të vështirë. Ai tha se Agjencia e Pronave ndodhet para një vargmali të tërë falsifikimesh dhe vendimesh fiktive, të cilat do të jenë objekt i angazhimit të përbashkët të kontrollit dhe të grupeve të punës për saktësimin e idesë që prona të shkojë tek pronari i vërtetë. Sipas tij detyrë parësore e të gjitha këtyre prioriteteve do të jetë mbështetja e duhur për të ç`bllokuar dhe vënë në rrugën e zgjidhjes problemin e pronave.

Në takim u diskutuan edhe mundësitë që agjencitë si ajo e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshnme dhe e Pronave të gjejnë të gjitha format e bashkëpunimit me drejtuesit e qarqeve për të qenë së bashku në këtë frymë të qeverisë lidhur me pronat.
Secila prej agjencive dhe dikastereve morën detyrat përkatëse, finalizmi i të cilave do të bëhet në një konferencë të përbashkët kombëtare për pronësinë.
Në përfundim të takimit Kryeministri shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë për të mbështetur me burime njerëzore dhe financiare qarqet në mënyrë që ato të ofrojnë kapacitetet e nevojshme për t`u ngritur në nivelin e kërkesave të kohës.

Lidhur me çështjen e legalizimeve Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur të çojë deri në fund procesin duke përmirësuar dhe thjeshtëzuar skemën e proçedurave. Ai ripërsëriti qëndrimin e tij se për qeverinë zhvillimi rajonal mbetet një nga prioritetet kryesore, i cili do të bazohet në kërkesën e popullsisë për një jetë më të mirë dhe për shtetin ligjor. Ky takim hap serinë e një sërë aktivitetesh në bazë rajonesh dhe vendi për përmbushjen e këtij prioriteti.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›