Kryeministri urdhëron ndërhyrje të shpejtë në situatën e krijuar në veri

Deklaratë për shtyp e Zëdhënëses së Kryeministrit, Juela Meçani
Tiranë, 3 janar 13:18 NOA - Kryeministri Sali Berisha po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën e krijuar nga moti i keq në veri, verilindje dhe në jug të vendit.
Duke folur mbi situatën e krijuar në veri të vendit që raportohet të jetë në precipitim e sipër, Zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani tha sot në mesditë se kryeministri Berisha ka urdhëruar Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Punëve Publike si dhe Ministrinë e Mbrojtjes që të ndërmarrin masa të shpejta.
“Ata janë urdhëruar që të kryejnë të gjitha veprimet për të garantuar kalueshmërinë në akset rrugore kryesore kombëtare të vendit dhe për t’u ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme komunave të bllokuara, komuna në të cilat nuk duhet të mungojë një komunikim i vazhdueshëm mbi problemet që mund të krijohen nga zhvillimi i situatës”, - deklaroi znj. Meçani.
Gjithashtu Kryeministri Berisha ka urdhëruar që njësi të pajisura të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhenios dhe Emergjencës Civile të vendosen në zonat e bllokuara dhe në akset rrugore kombëtare për të garantuar kalueshmërinë e tyre.
Meçani këtu evidentoi se situata në këto zona në tërësi paraqitet nën kontroll.
a.l/NOA
Lexoni më shumë mbi këtë argument:
Situata emergjence në Qarkun Shkodër, bllokohen nga dëbora shumë fshatra