Rrethet veriore po vuajnë pasojat e motit me dëborë dhe acar

Raportim nga korrespondentët e NOA, mbi situatën më të fundit të krijuar nga moti në vend
Tiranë, 3 janar 21:08 NOA – Situata e krijuar nga reshjet e borës në disa zona të vendit ka bërë që të bllokohen një numër rrugësh kombëtare dhe rurale e po ashtu disa mijëra banorë të fshatrave në zonat e thella veriore.
Drejtoria e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, bëri të ditur sonte për agjencinë e lajmeve NOA se situata paraqitet më e rënduar në Qarkun e Kukësit ku reshjet e borës kanë qenë më të shumta.
Kurse korrespondenti i NOA në Kukës, informon se trashësia e dëborës ka arritur deri në 40 cm në zonat pranë akseve rrugore nacionale dhe deri në 1 metër në zonat e thella malore.
Aktualisht në rrethin e Kukësit janë të bllokuara komunat Shishtavec, Arren, Kalis, Gryk Çaje, Zapod, Topojan, Ujmisht dhe Tërthore.
Po kështu situatë e vështirë paraqitet edhe në rrethin e Tropojës ku është e bllokuar rruga B. Curri-Lekbibaj, ndërsa rrugët e tjera janë të kalueshme, me vështirësi dhe me zinxhirë.
Rrugët e pothuajse të të gjitha fshatrave janë të bllokuara, pasi ka shumë ngrica.
Edhe në Qarkun e Shkodrës paraqiten probleme, ku situatë më e vështirë shfaqet në Pukë. Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA në qarkun Shkodër, citon drejtorinë rajonale të Emergjencave se rrugët nacionale janë të kalueshme, por vetëm me zinxhirë.
Sakaq, në rrethin e Shkodrës është e bllokuar rruga Pog-Shalë ndërsa në Malësinë e Madhe rruga Tamarë-Vermosh.
Sakaq, në qarkun e Dibrës janë të bllokuar disa rrugë rurale si Ura e Qerenecit-Streblevë, Ostren-Klenjë, rruga për në Lurë, në Bulqizë rrugët për në Ostren, Xibër dhe Trebisht, si dhe rruga Macukull-Derjan me Qarku Dibër.
Kurse në qarkun e Korçës janë krijuar vështirësi në akset Korçë-Ersekë, në Qafën e Qarrit, në aksin rrugor Korçë-Pogradec-Qafë Thanë dhe në rrugën Prenjas-Qafë Thanë.
Drejtoria e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme tha se Shtabet e Emergjencës të të gjitha niveleve janë organizuar dhe po bashkëveprojnë në marrjen e masave të duhura për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e borës.
“Shtabet e Emergjencës në nivel qarku nën drejtimin e prefektëve po ndjekin nga afër situatën dhe janë në gatishmëri të plotë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për përballimin e situates në vijimësi”, - nënvizoi Drejtoria e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme.
Nga ana tjetër, forcat e rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë janë të mobilizuara për përballimin e situatës ndërsa efektivat e policisë rrugore po punojnë intensivisht duke organizuar dhe drejtuar qarkullimin e mjeteve.
“Deri më tani nuk ka patur as edhe një aksident rrugor megjithë qarkullimin e madh të mjeteve në këto ditë fillim viti”, - konfirmoi Policia e Shtetit në një komunikatë për mediat, mbrëmjen e së Shtunës.
Ajo theksoi se “në as edhe një zonë të thellë nuk kemi patur raste urgjente shëndetësore”, duke siguruar se “masat janë marë të plota që për çdo urgjencë, të sëmurit t’i jepet ndihma e nevojshme mjekësore”.
Ndërkohë, zonat e thella malore, dyqanet dhe tregëtarët e artikujve ushqimorë janë të furnizuar dhe nuk presim situata problematike, edhe nëqoftëse moti do të vazhdojë me reshje bore dhe me ngrica.
Korresp NOA/a.k Update
Lexoni më shumë mbi këtë argument:
Situata emergjence në Qarkun Shkodër, bllokohen nga dëbora shumë fshatra
Kryeministri urdhëron ndërhyrje të shpejtë në situatën e krijuar në veri