E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata emergjence në Qarkun Shkodër, bllokohen nga dëbora shumë fshatra

Në veri të vendit, dëbora ka bllokuar disa rrugë

Shkodër, 3 janar 13:04 NOA – Situatë emergjence paraqitet orët e fundit në qarkun e Shkodrës, informon korrespondenti i agjencisë s lajmeve NOA.

Në rrethin Malësi e Madhe, akset rrugore Gropat e Selcës – Vermosh dhe Bogë – Theth janë te bllokuar nga dëbora që ka kaluar të 40 centimetrat lartësi.

Ndërkohë, burime zyrtare nga policia e Shkodrës, bënë të ditur për agjencinë NOA se në rrethin Puke rrugët janë të kalueshme me zinxhirë ndërsa vazhdon të bjerë dëborë me intestitet.

“Aktualisht në qytetin e Pukës, trashësia e dëborës është rreth 15 centimetra, ndërsa në Iballe rruga është e bllokuar”, - saktësoi për agjencinë e lajmeve NOA, drejtoria e Policisë së Shkodrës.

Sakaq, në aksin rrugor Fushë Arrëz-Qafë Mali, Qafë Shllak, Kukës, dëbora ka arritur në trashesine rreth 50 centimetra.

Në këto akse lëvizet me vështirësi për mjetet e vogla ndërsa për mjetet e mëdha është pothuajse i pamundur qarkullimi.

Kurse në aksin rrugor Qafë Mali – Fierzë, dëbora ka mbërritur në trashësinë rreth 40 cm, rruga është e kalueshme, por vende-vende ka akull.

Burime nga shtabi i Emergjencës së Prefekturës Shkodër, sakaq konfirmuan se në fshatrat Hadroj, Gjegjan, dëbora ka arritur momentalisht në trashësi rreth 15 cm.

Drejtoria e Policise Qarku Shkodër thotë se në të gjitha akset problematike po punohet për pastrimin e dëborës, por pranon se kushtet atmosferike po e vështirësojnë së tepërmi punën.

Këshilla më e ngutshme për përdoruesit e rrugëve në këto momente është që drejtuesit e automjeteve të marrin masa, për pajisje me zinxhirë, për shkak të terrenit të rënduar nga reshjet e dëborës.

r.d/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›