E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministria: Nuk është vila e Berishës, është rezidencë qeveritare. Edhe Benz-in 700 milionësh nuk e përdor Berisha

Kryeministria ka reaguar pas pamjeve që transmetoi Top Channel në brendësi të vilës qeveritare në Vlorë. Rregullimet në vilë kanë kushtuar mbi 500 milion lekë, por Berisha pretendon se vila nuk është e tij, por është vilë qeveritare. Berisha thotë se edhe Mercedes-i që ka blerë 700 milion, nuk është përdorur asnjëherë nga Berisha.

Dje televizioni Top Channel transmetoi në edicionin e tij të lajmeve një montim lidhur me një rezidencë qeveritare në Vlorë, të cilën e paraqiti, duke shpifur, si rezidencë të Kryeministrit Berisha.

Lidhur me këtë kronikë, zëdhënësi i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare sqaron opinionin publik sa vijon:

Vila në Vlorë, e paraqitur në kronikën e televizionit Top Channel, është rezidencë qeveritare, shtëpi pritje për personalitete të larta të vendit dhe të huaja, miq të shquar të Shqipërisë.

Pretendimi i televizionit Top Channel se vila qeveritare në Vlorë është rezidencë e Kryeministrit është një trillim i ulët, i denjë për çakej dhe gjobëvënës, që përdorin median për prerje gjobash dhe qëllime të tjera të kundërta me misionin e tyre. Me këtë rast i kujtojmë opinionit publik se gazetarët gjobë-prerës të këtij televizioni, që shpallin shtëpinë e pritjes në Vlorë si rezidencë të Kryeministrit Berisha, janë po ata që montuan në zyrat e Edi Ramës videon e 21 janarit dhe që servirën shumë herë si veturë të Kryeministrit makinën Mercedes të blerë nga kjo Drejtori për transportin e kryetarëve të shteteve,  kryeministrave dhe kryetarëve të Parlamenteve të vendeve mike, që vizitojnë Shqipërinë dhe që nuk është përdorur asnjëherë nga Kryeministri apo personalitete të tjera të vendit, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›