E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryenegociator bërthamor i Phenianit dëshiron të vizitojë SHBA-në

Kryenegociatori bërthamor i Koresë së Veriut dëshiron të vizitojë SHBA-në muajin e ardhshëm, njoftuan sot mediet, në kuadër të përpjekjeve të diplomatëve për të ringjallur negociatat për t’i dhënë fund programit bërthamor të Phenianit.

Mirëpo zyrtarët në Washington theksuan se nuk ekziston ndonjë plan për një vizitë të këtillë.

Koreja e Veriut po angazhohet fuqishëm që kryenegociatori i vet, Kim Gvan, të vizitojë në mars SHBA-në, por SHBA-ja nuk i ka dhënë vizë Gvanit, ka njoftuar gazeta jug-koreane, Dong-a Ilbo, duke cituar disa burime anonime diplomatike.

Kim gjatë vizitës që pati gjatë kësaj jave në Pekin, i ka dhënë zyrtarëve kinezë se ai shpreson që në mars të zhvillojë një takim bilateral me SHBA-në. Kim u kthye dje në Phenian, pasi që i dha fund vizitës së tij pesëditore në Kinë, njoftoi agjencia jug-koreane e lajmeve, Yonhap.

“Që të dy palët kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve mes Koresë së Veriut dhe Kinës, si dhe për çështjen e përshpejtimit të procesit të denuklearizimit të Gadishullit të Koresë”, njoftoi Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut.

Zëdhënësi i State Departmentit amerikan, P.J Crowley, theksoi se nuk ekzistojnë plane për vizitën e Kimit në SHBA dhe se nuk janë zhvilluar as biseda mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së rreth kësaj vizite.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›