E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE u vonua për të na mbështetur

Papandreu kthehet në Athinë dhe kritikon ngadalësinë e reagimit të vendeve të Eurozonës
Kryeministri grek, Papandreu, dje kritikoi Bashkimin Europian si “tepër të ndrojtur” dhe tepër të ngadalshëm në shprehjen e mbështetjes së plotë për daljen e Greqisë nga kriza më e rëndë ekonomike që vendi po përjeton në dekadat e fundit. Këto deklarata të Kryeministrit janë bërë një ditë pasi vendi i tij fitoi mbështetjen e BE-së, por ende nuk ka marrë një plan të detajuar për ndihmën që priste të merrte për të përballuar rritjen e madhe të deficitit buxhetor. Papandreu është kthyer në vendin e tij dhe këto vërejtje i ka bërë në një mbledhje të posaçme kabineti. “Greqia nuk është një superfuqi politike, apo ekonomike, që ta përballojë e vetme një betejë të tillë të vështirë. Gjatë muajve të fundit të krizës, BE na ka dhënë mbështetje politike, por në betejën kundër shifrave dhe atë të psikologjisë së tregut duhet një ndihmë konkrete”, ka vazhduar Papandreu.
Gjatë muajve të fundit, që kanë qenë shumë të rëndë për Greqinë, BE-ja është shprehur në lidhje me të përmes zërash të ndryshëm. Kanë qenë të shumtë ata që kanë përjashtuar ndihmat ekonomike ndaj Greqisë, kryesisht bëhet fjalë për Gjermaninë, apo edhe Bankën Qendrore Europiane. Kriza në Greqi i ka krijuar vështirësi euros në vendet e Eurozonës, në të cilat bëjnë pjesë 16 shtete. Për shkak të kësaj krize, euroja ka përjetuar edhe krizën më të rëndë të 11 viteve të krijimit të saj. Papandreu, partia e majtë e të cilit mori pushtetin vitin e kaluar nga të djathtët, përgatiti një plan për uljen e deficitit buxhetor, një plan që parashikon marrjen e masave shumë të rrepta për të sjellë shifrat sa më pranë normales. Por në Greqi këto masa që parashikojnë rritje taksash, rritje të moshës për dalje në pension e shkurtime të tjera, kanë shkaktuar demonstrata dhe protesta masive nga punonjësit e sektorit publik. Për Papandreun, që sapo u kthye nga Brukseli, BE e pati shumë të vështirë që pranonte përgjegjësitë që ka ndaj Greqisë, që është ajo e mungesës së vigjilencës ndaj qeverisë së mëparshme greke, e cila ishte edhe shkaktarja e këtyre problemeve, të cilat po i paguan ndërkohë qeveria e majtë e Papandreut. Të enjten, 16 vendet e Eurozonës ranë dakord që ta mbështesin financiarisht Greqinë me një plan, por nuk detajuan asnjë hollësi për termat konkretë të këtij plani.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›