Nobelistja Shirin Ebadi për sanksione kundër Iranit
Fituesja e çmimit Nobel për paqe, Shirin Ebadi, ka kërkuar nga shtetet perëndimore që të vendosin sanksione politike kundër Iranit, duke reduktuar marrëdhëniet diplomatike me Teheranin dhe duke ja mohuar vizat zyrtarëve iranianë, por ka kundërshtuar vendosjen e sanksioneve ekonomike, të cilat do ta dëmtonin popullin iranian.
Ajo theksoi se situata e të drejtave të njeriut është duke u përkeqësuar me shpejtësi dhe akuzoi forcat e sigurisë se po shtypin me dhunë protestat paqësore të opozitës.
“Jam kundër sanksioneve ekonomike dhe sulmeve ushtarake. Sidoqoftë, nëse qeveria e Iranit vazhdon të shkelë të drejtat e njeriut dhe vazhdon të injorojë kërkesat e popullit, atëherë unë do të filloja të mendoja për sanksione ekonomike. Mos i shitni armë qeverisë së Iranit”, tha Ebadi.
Ajo më pas bëri të qartë se sanksionet politike duhet të vendosen sa më shpejtë që është e mundur, pasi që theksoi se shkelja e të drejtave të njeriut në Iran po përkeqësohet për çdo ditë.
“Nuk kërkoj që të ndërpriten në tërësi marrëdhëniet me qeverinë e Iranit. Mendoj që të reduktohet niveli i marrëdhënieve, si për shembull me tërheqjen e ambasadorëve nga Irani, apo reduktimi i marrëdhënieve diplomatike nga niveli i ambasadorëve në nivel të konsullatave”, theksoi Ebadi.