Kryengritësit kanë rrethuar Tripolin
Kryengritësit libianë kanë luftuar forcat e udhëheqësit Muammar Gaddafit, në dy anët e Tripolit.
Luftime janë raportuar në Zavijah – rreth 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit – ku kryengritësit po bëjnë “përpjekje të rrepta” për të marrë qytetin e naftës.
Përleshje ka pasur edhe në Zlitan, ndërsa pohimet e kryengritësve për marrjen nën kontroll të këtij qyteti janë hedhur poshtë nga zyrtarët qeveritarë.
Zëdhënësi i qeverisë, Musa Ibrahim, citohet të ketë thënë se forcat e Gaddafit vazhdojnë të jenë në avantazh edhe në Zavijah, edhe në Zlitan.
Në të tjera zhvillime, kryengritësit kanë njoftuar se ish-ndihmësi i lartë i Gaddafit, Abdulsalam Dshallud, ka dezertuar dhe u është bashkuar kryengritësve.
Abdulsalam Dshallud ishte në vitet 70-ta kryeministër dhe numri dy i regjimit.
Në fillim të viteve 1990-ta, ai pati përplasje me Gaddafin.
Një zëdhënës i kryengritësve tha në qendrën e opozitës në Bengasi, se Dshallud, i cili gëzon simpati në popull, ka mundur të arratiset nga kryeqyteti Tripoli.
Kryengritësit sipas të dhënave të tyre, kanë mundur të vendosin tërësisht nën kontrollin e tyre qytetin port Brega, së bashku me terminalin e rëndësishëm strategjik të naftës.