Biden “qetëson” kinezët
Udhëheqësit kinezë shprehën besimin në ekonominë amerikane të rënduar nga borxhi, një çështje e rëndësishme kjo, sepse Pekini është kreditori më i madh i huaj i Ëashingtonit.
Ata e bënë këtë vlerësim pozitiv, në ditën e dytë të bisedimeve me nënpresidentin amerikan, Joe Biden.
Nënpresidenti Biden u përpoq të sigurojë udhëheqësit kinezë se borxhi prej 1,2 biliardë dollarë, që Thesari amerikan i ka Kinës, është i sigurt, ndërkohë që të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për rigjallërimin e rritjes ekonomike globale.
Vizita e Bidenit është errësuar nga pasiguria ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe ankthi i Pekinit lidhur me sigurinë e aseteve kineze në Amerikë.
Nënpresidenti amerikan u takua edhe me presidentin kinez, Hu Jintao.
"Për të kaluar direkt në temë, Presidenti Obama më kërkoi të vija në Pekin e të takohem me ju, për të riafirmuar angazhimin tonë absolut dhe të plotë për një marrëdhënie të fortë dhe të qëndrueshme pozitive me Kinën", i tha Biden presidentit kinez.
Biden u takua gjithashtu edhe me kryeministrin Wen Jiabao, i cili tha se Kina ka "besim të plotë se Shtetet e Bashkuara do ta rikthejnë ekonominë e tyre në rrugën e rritjes së shëndetshme".
Udhëheqësit kinezë e kanë përsëritur këtë optimizëm gjatë gjithë vizitës së Bidenit, duke u përpjekur të qetësojnë tregjet globale.