E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryengritësit kontrollojnë pikat kufitare, ushtria Damaskun

Luftëtarët sirianë të opozitës morën kontrollin në disa pika kufitare për në Irak dhe Turqi, në kohën kur po vazhdojnë luftimet e përgjakshme në vend, për ndërprerjen e të cilave nuk u arrit pajtim në Këshillin e Sigurimit pas përdorimit të vetos nga Rusia e Kina mbi draft-rezolutën britanike.

Luftëtarët e opozitës thuhet se sulmuan disa pika kufitare dhe pasi vranë 21 trupa qeveritare, morën kontrollin në të paktën njërën nga pikat kryesore të kalimit për në Irak, atë në Abu Kamal.

Zëvendësministri i Brendshëm i Irakut, Adnan Al Asadi, i tha AFP-së se luftëtarët e Ushtrisë Siria e Lirë kanë marrë kontrollin në të gjitha pikat në kufirin ndërmjet të dy shteteve, i cili është 600 kilometra i gjatë.

Raportet thonë se dy pika kufitare me Turqinë-Bab Al Hava dhe Xharablus, janë zënë po ashtu nga kryengritësit, të cilët më vonë kanë braktisur njërën prej tyre.

Nga ana tjetër, ushtria besnike e presidentit Bashar al Assad, ka rimarrë në kontroll lagjen verilindore të Damaskut, vetëm pak kilometra larg zemrës së kryeqytetit sirian.

Trupat sirianë nisen një ofensive të vërtetë për të larguar kryengritësit nga Damasku, vetëm një ditë pasi tri figura të larta të regjimit u vranë si pasojë e një sulmi me bombë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›