E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryengritësit marrin televizionin e Gaddafit

Nga Express më 22 gusht 2011 në ora 17:10

(E plotësuar) Televizioni shtetëror i regjimit të Muammar Gaddafit në Libi, aktualisht nuk transmeton program, ndërsa luftëtarët opozitarë thonë se tash ata e kanë kontrollin ndaj TV-së shtetërore, raporton REL.

Ky zhvillim u bë derisa raportohet se luftëtarët kryengritës e kanë nën kontroll afro 95% të territorit të kryeqytetit Tripoli, pas avancimit të shpejtë prej të dielës.

Poashtu, është raportuar edhe për mungesë të rrymës elektrike në disa pjesë të Tripolit.

Tripoli në duar të kryengritësve

Pas një lufte prej gjashtë muajsh, kryengritësit libianë kanë raportuar se kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Tripolit.

Kryengritësit depërtuan në Sheshin e Gjelbër, pas përballjes me një kundërshtim të dobët nga forcat qeveritare.

Lideri libian, Muammar Gaddafi, është zotuar se do të qëndrojë deri në fund, ndërsa u ka bërë thirrje fiseve të vijnë në Tripoli, për të “shpëtuar qytetin”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se Libia “po rrëshqet nga kthetrat e tiranit”, ndërsa beteja mes kryengritësve dhe Muammar Gaddafit ka arritur një “pikë kthese”.

Obama tha se e ardhmja e Libisë është në duart e popullit libian dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përkrahin tranzicionin drejt demokracisë.

Edhe NATO-ja deklaroi se sundimi i Gaddafit po shkatërrohet, duke u shprehur e gatshme për të punuar me popullin e Libisë.

Zëdhënësi i Gaddafit, Musa Ibrahim, akuzoi Aleancën për shtimin e sulmeve, “me synim për të ndihmuar rebelët”.

“NATO-ja ka intensifikuar sulmet në dhe përreth Tripolit, duke u dhënë mbështetje të menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë forcave rebele për të avancuar në kryeqytetin paqësor të këtij kombi të madh. Numri i të vdekurve është përtej imagjinatës”, tha Ibrahim.

Gjatë natës, shumë njerëz kanë mbushur rrugët e Tripolit për të festuar.

Festimet shpërthyen kudo në Libi, përfshirë Bengazin, që mblodhi dhjetëra-mijëra njerëz.

Kryengritësit u kanë thënë medieve perëndimore se kanë kapur djalin e Gadafit, Saif al-Islam. Gjykata Ndërkombëtare për Krime tha se ka marrë konfirmimin për arrestimin e tij.

Së bashku me babanë e tij, Seif al-Islam akuzohet nga drejtësia ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.

Al Jazeera raportoi se djalin tjetër të Gadafit, Muhamedin, kryengritësit po e mbajnë nën arrest shtëpiak.

Kreu i Këshillit Kombëtar Transitor, Muhamed Abdel Jalil, mohoi lajmin se Gaddafi ka vdekur.

“Nuk dimë se ku ndodhet diktatori, nëse është ende në Libi apo ka arritur të largohet nga vendi”, ka thënë Jalil. “Ju sigurojmë se Gaddafi do të ketë një gjykim të drejtë, që e gjithë bota të shikojë pas hekurave diktatorin më të madh të Tokës”, shtoi ai.

Jalil deklaroi se nuk mund të thuhet ende që kryengritësit kanë nën kontroll të gjithë Tripolin.

Sipas tij, Bab al-Azizija dhe zonat përreth janë ende në duart e forcave të Gaddafit.

Kreu i Këshillit Kombëtar Transitor deklaroi gjithashtu se kryengritësit kanë qëlluar mbi vendstrehimin e Gaddafit dhe se kanë pushtuar edhe ndërtesën e televizionit shtetëror.

MPJ përshëndet ndryshimet demokratike në Libi

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në përpjekje për rrëzimin e regjimit diktatorial të Muammar Gaddafit në Libi.

Me këtë rast, Qeveria dhe populli i Kosovës përkrahë përpjekjet e popullit të Libisë për liri, dinjitet dhe demokraci. MPJ e Kosovës uron popullin e Libisë për përmbyllje paqësore dhe tranzicion të qetë të sistemit, në rrugën drejt pajtimit kombëtar dhe rindërtimit të vendit.

MPJ është në koordinim me partnerët ndërkombëtar të Kosovës, në mënyrë që në javët në vijim të thellohet bashkëpunimi në mes të autoriteteve të reja të Libisë dhe Republikës së Kosovës, me qëllim të përshpejtimit të njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nga Qeveria e re e Libisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›