Kryengritja me harqe dhe shigjeta

Pothuajse pa asnjë zhurmë anija e vogël zvarritet në det. Meshkujt e dinë se duhet të jenë të kujdesshëm, ngase në çdo cep të kësaj hapësire, rreth 100 kilometra të kryeqytetit provincial, Jajapura, veprojnë agjentë të qeverisë së urryer të Indonezisë. Vetëm pasi që zhdukën pothuajse në tërësi dritat e qytetit bregdetar, ata e ndezin motorin. Ata zhdukën ndërmjet Ishujve, të cilët janë të shpërndarë para brigjeve veriore të Papuas.
Ka tashmë disa vjet që këta meshkuj luftojnë për një Papua të pavarur. Organizata për Papuan e Lirë (OPM) e quan vetën kjo ushtri kryengritëse. Synimi i tyre është shteti i pavarur i Papuas, pra shteti i popullit të vjetër milanez, i cili jeton në Ishullin e Guinesë së Re.
Dikur, kjo parajsë jugore që shtrihet para brigjeve të Australisë, ishte kolonizuar nga britanikët dhe holandezët. Por përderisa pjesa lindore e Papua Guinesë së Re, e pushtuar nga britanikët, e fitoi pavarësinë në vitin 1975, forcat indoneziane pushtuan në vitin 1963 pjesën perëndimore, që ishte nën sundimin e holandezëve, duke ja bashkuar këtë rajon me emrin Papua Perëndimore Indonezisë.
Tani po zhvillohet një luftë e përgjakshme mes banorëve autokton dhe indonezianëve, të cilët konsiderohen si pushtues. Është kjo një luftë jo e barabartë. Në njërën anë gjenden 30 mijë ushtarë indonezianë, të pajisur me pajisjet me moderne për luftë dhe në anën tjetër kryengritësit, të cilët në pjesën më të madhe luftojnë me harqe dhe shigjeta dhe të cilët e ndiejnë vetën të braktisur nga pjesa tjetër e botës. Vlerësohet se deri me tani kanë humbur jetën mbi 100 mijë njerëz. Vetë ngritja e flamurit të ndaluar të Papuas mjafton që të vritesh apo të dënohesh me shumë vjet burg, për t’u zhdukur më pas në tërësi në burgjet famëkeqe të Indonezisë.
Ka tashmë një orë që meshkujt vazhdojnë lundrimin e tyre me anije, e më pas gjejnë një breg për tu ndalur. Jo fort larg nga aty, udhëheqësi i OPM-së, Rehna 69 vjeçar, ka tubuar komandantët e tij. Zhvillohet takimi i Këshillit Luftarak dhe meshkujt që udhëtuan me anije sjellin porosi të rëndësishme nga Jajapura. Flitet për shënjestrat e reja të sulmeve, për sigurimin e armëve, organizimin e trajnimit luftarak për ushtarët e ri-gjëra të cilat janë të rëndësishme në përditshmërinë e luftëtarëve guerilë.
“Natyrisht se jemi të dobët, natyrisht se kemi pak armë. Por si synon një fuqi pushtuese, si Indonezia, të fitojë luftën kundër një populli të tërë”, thotë Rahma. Më pas ai tregon ngjyrën e tij më të errët të lëkurës:”Indonezianët as që duken si ne, nuk kemi asgjë të përbashkët me ta, ata janë armiqtë tonë”.
Ai është luftëtarë veteran që nga orët e para, në mesin e atyre që rrokën armët në vitin 1969, pasi që Indonezia manipuloi referendumin për pavarësi, duke e bërë këtë rajon të pasur me minerale pjesë të Indonezisë.
Që nga ajo kohë, të gjitha qeveritë në Xhakartë kanë plaçkitur Papuan Perëndimore, duke eksploatuar aty arin, naftën dhe drurin. Megjithatë, Papua nuk ka parë shumë nga kjo pasuri.
Edhe sot rajoni është tejet i prapambetur. Çdo i katërti banor i Papuas nuk di as shkrim as lexim dhe rajoni ka nivelin më të lartë të njerëzve të infektuar me virusin HIV.
Askund dallimi ndërmjet banorëve autokton dhe pushtuesve indonezian nuk është më i dukshëm, se sa në qytetin Timika. Në këtë qytet gjindet miniera më e madhe e arit në botë.
“Indonezianët po na vjedhin nderin tonë, po shkatërrojnë kulturën tonë, po vrasin fëmijët dhe gratë tona”, thotë Marcello. Ky komandant i një brigade të OPM-së është një prej njerëzve më të kërkuar në Papua. Megjithatë, për shumë njerëz në Papua Marcello është një hero. Indonezianët e cilësojnë si terrorist, luftëtarët e të cilët vrasin bujq, rrëmbejnë shtetas të huaj dhe shkatërrojnë pompat e minierës së arit.
“Ne luftojmë për mbijetesë. Nëse nuk mbrohemi, pas disa viteve nga Papua nuk do të mbetet asgjë. Mbetjet nga miniera po helmojnë lumenjtë dhe liqenet tona dhe me të ardhurat, Indonezia po financon luftën kundër Papuas”, mbrohet Marcello nga kritikat.
Por çfarë mund të bëjnë luftëtarët e tij kundër një ushtrie moderne? A nuk është kjo një vetëvrasje?
Marcello ngrit supet. “Nuk kemi zgjidhje tjetër”, përgjigjet ai, për t’u zhdukur me pas me luftëtarët e tij, të armatosur me harqe dhe shigjeta, në pyll.
Edhe Rehna thotë se do të vazhdojë luftën. Por nganjëherë ai kaplohet nga dyshimi. OKB-ja nuk qanë më kokën për të drejtën e vetëvendosjes së popujve, të cilët nuk kanë lobi të fuqishëm. Dhe nga aspekti ushtarak, as ushtria indoneziane, e as kryengritësit nuk janë duke shënuar ndonjë përparim. Duket se problemi kryesor është politika e kolonizimit, e udhëhequr nga qeveria në Xhakartë, e cila ka tashmë disa dekada që ka sjellë në rajon indonezianë nga Java dhe Sumatra.
Përderisa popullata autoktone para 40 dekadave e popullonte pothuajse 100 për qind Papuan Perëndimore, ajo ndërkohë përbën vetëm 50 për qind të rreth 3 milionë banorëve të rajonit.
Dhe së shpejtë, popullata autoktone do të jetë pakicë në tokën e saj. “Holandezët vetëm na kanë shtypur, indonezianët dëshirojnë të na shkatërrojnë”, përfundon Rehna.