E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeparlamentari suedez, Westerberg nis sot një vizitë treditore në Shqipëri

Me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli

TIRANE - Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg do të nisë sot një vizitë tre ditore në Shqipëri, me ftesë të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Axhenda zyrtare e kryeparlamentarit suedez në vendin tonë do të nisë me një takim me dyer të mbyllura me homologen e tij shqiptare, takim i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp, që do të zhvillohet rreth orës 14, në ambientet e selisë së Kuvendit të Shqipërisë. 
Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg do të jetë gjithashtu i pranishëm në seancën plenare të pasdites (ora 18), dhe do t’u drejtohet me një fjalë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Në axhendën e takimeve të Kryparlamentarit Westerberg parashikohet gjithashtu takimi me Presidentin e Republikës, Bamir Topi me Zëvendëskryeministrin, Genc Pollo dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Suedisë pritet të njohin një zhvillim të ri me vizitën treditore  në Tiranë të kryetarit të Parlamentit suedez, Per Westeberg.   
Vetëm pak ditë më parë, Kryeministri Berisha takoi kryeministrin e Suedisë, Fredrik Reinfeldt. Dy homologët biseduan për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet dypalëshe dhe mbi potencialet që Shqipëria ofron për investitorët suedezë në fusha të ndryshme, sidomos në turizëm, shfrytëzimin e pasurive minerale, burimeve energjetike etj.
Kryeministri Reinfeldt vuri në dukje interesin e biznesit suedez për investime në Shqipëri, nisur nga reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat kanë ndryshuar perceptimin e evropianëve ndaj vendit tonë.
Lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, kryeministri Refinfeldt tha se Suedia është një vend që favorizon zgjerimin e BE-së me vende të Ballkanit Perëndimor dhe u shpreh qartësisht pozitiv për procesin e Shqipërisë si vend kandidat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›